Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 15:53

Tiranë – Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha garantoi të gjithë të zgjedhurit, kryetarët e Bashkive dhe komunave të Shqipërisë se “do të kenë te qeveria një partner të vërtetë dhe të vendosur për të punuar intensivisht dhe bashkarisht në projektin më të madh të të gjitha kohërave, Shqipëria vend i zhvilluar”.

Duke vënë në dukje se me besimin që qytetarët shqiptarë vendosën mbi ta duhet të ndjehen shumë të privilegjuar, kreu i ekzekutivit tha se “do bëhet çdo përpjekje për ti dhënë vendit një qeverisje transparente dhe të përgjegjshme”.

Më tej, kryeministri u ndal tek koalicioni “Aleanca për qytetarin”, i cili sipas tij, hyri në këto zgjedhje, si koalicioni më i gjerë, më serioz, më i strukturuar dhe më i madhi në tërë historinë e pluralizmit shqiptar.

“Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” doli nga këto zgjedhje si koalicioni më i fuqishëm elektoral që vendi ka njohur që nga viti ’92”, tha Berisha duke shtuar se qytetarët shqiptarë në të katër anët e vendit votuan me rezultatin më të thellë se në të gjitha garat elektorale këtë koalicion, i cili mori 140 mijë vota më shumë se koalicioni tjetër”.

“Mori 17% vota më shumë se koalicioni rival opozitar, rreth 43 mijë vota më shumë në të gjitha qytetet e vendit, 41 mijë vota më shumë për të gjithë kandidatët për kryetar bashkie dhe komune, 10 mijë e 909 vota më shumë në 4 gara të  marrë së bashku të kryeqytetit të vendit”, deklaroi kryeministri.

Sipas tij, ky është rezultati më i thellë dhe më shumë planësh, që një koalicion ka marrë në zgjedhjet elektorale të këtij vendi ndonjëherë, por edhe nga më të thellët në Europë.

Për kreun e ekzekutivit, koalicioni mori këtë vlerësim nga qytetarët shqiptarë mbi të gjitha për shkak të performancës së qeverisë.

“Me votën dhe me besimin e tyre të madh qytetarët dëshmuan se ata kanë vlerësuar dhe vlerësojnë përpjekjet e kësaj qeverie dhe mazhorance për zhvillimin e këij vendi, ndjeshmërinë ndaj problemeve të tyre të përditshme, afatmesme dhe afatgjata, dëshmuan përpjekjet e kësaj qeverie për një rol stabilizues të Shqipërisë në rajon dhe një progres të saj në proceset integruese euroatlantike dhe europiane”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, qytetarët shqiptare kanë vlerësuar dhe vlerësojnë, transparencën dhe standardet transparente të vendosura nga kjo qeveri.

Kryeministri Berisha vuri në dukje se ishin qytetarët ata që udhëhoqën fushatën më të bukur elektorale të vendit, ata që ndërtuan fitoren më të thellë dhe procesin zgjedhor dhe zgjedhjet më të bukura por edhe historike në disa aspekte të datës 8 maj.

Duke vënë në dukje se, përpjekjet e këtij koalicioni qeverisës janë të një rëndësie kapitale, Berisha ritheksoi se “për çdo qytetar shqiptarë, modeli ynë ekonomik ia doli të funksionojë, të ketë mbidyfishim të bizneseve dhe të rriten  investimet e huaja në vend”.