Lajme Shqip Sunday, 04 September 2011 14:01

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar të dielën se “në kabllogramet e Wikileaks për Shqipërinë kam gjetur një pasqyrë të shtypit të përditshëm shqiptar, akuzave dhe kundër akuzave të ndërsjella që forcat politike kanë adresuar ndaj njëra-tjetrës”.

Në konferencën për shtyp me Presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, Berisha iu përgjigj interesit të medias “për kabllogramet që Wikileaks ka publikuar për politikanët dhe situatën në Shqipëri me mbishkrimin sekret të ish- Ambasadorit Amerikan në Tiranë, Xhon Withers, në adresë të Departamentit Amerikan të Shtetit”.

Kryeministri Berisha e ka quajtur kryeredaktorin e Wikileaks, Julian Assange një Arsen Lupen të kohërave moderne. “Ne kemi pasur një qëndrim për të. Zotëria ka bërë një vjedhje dhe kjo nuk e ndryshon qëndrimin tonë ndaj zotërisë i cili përmes një operacioni të paligjshëm ka hyrë në kodet e transmetimit të vendit më të fuqishëm të botës”, tha Berisha.

Kryeministri i cilësoi të shkëlqyera marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “SHBA mbështesin shqiptarët dhe Shqipërinë dhe jo forcat e caktuara politike”, tha Kryeministri Berisha.