Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 14:37

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha deklaroi të enjten në Kuvend se qeveria shndërroi paratë e taksapaguesve shqiptarë në rritje të pagave dhe pensioneve, në rrugë, shkolla të reja dhe projekte të tjera të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

“Qeveria para së gjithash dhe mbi të gjitha i shndërroi ato në para për kontot e portofolet e 810 mijë familjeve shqiptare. Ky është zëri i parë i buxhetit në një kohë kur qeveritë e tjera u detyruan të fusin gërshërën në xhepat dhe kontot e qytetëve të tyre”, tha Berisha gjatë debatit për buxhetin faktik të vitit 2010.

Kjo qeveri, sipas Berishës, e vetëdijshme se investimi tek njeriu është investimi kryesor për faktin se akoma sot janë më pak shqiptarë që përballen me dhimbjen e varfërisë, ka vendosur rritjen e pensioneve rrogave dhe ndihmës ekonomike, e cila erdhi në kundërrymë të plotë, kur shumë vende shkurtuan me 40 % pensionet, 30 % ndihmën ekonomike, apo zvogëluan 20-40 % rrogat.

Kryeminsitri Berisha bëri të ditur se fondi në dispozicion për pensionet u rrit nga 50 miliardë lekë në 106 miliardë lekë.

“Kam qënë i ulur në këto banka në opozitë kur kërkoja të dija ku shkojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Por ato i gjeja në rroga për ofiqarët”, deklaroi Berisha.
Duke u ndalur në propozimet fundit të PS-së për TVSH-në e ilaçeve, Berisha u shpreh se “për ilaçet ju shpenzonit për qytetarët 5 miliardë lekë subvencione, tani në shpenzojmë 25 miliardë lekë subvencione”.

“Varfëria ekstreme do të goditet në mënyrë përfundimtare”, deklaroi Berisha.