Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 10:45

Tiranë – “Projekti i integrimit të Shqipërisë në BE është i vetmi projekt madhor për vendin tim”, u shpreh sot Kryeministri, Sali Berisha, gjatë punimeve të Kongresit XX të Partive Popullore Evropiane, në Marsejë (Francë).

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë në Francë, i’u drejtua sot pasdite me një fjalë, Kongresit të XX të PPE-së, ku po diskutohet mbi situatën ekonomike në Evropë dhe çështjen e një forcimi politik dhe integrimi të mëtejshëm ekonomik, fiskal e social, si një përgjigje ndaj krizës ekonomike në eurozonë.

Dokumenti mbi bazën e të cilit u fokusuan diskutimet në këtë Kongres i referohet tematikës: “Ta çojmë Evropën përpara – Një Evropë më e fortë, për të ruajtur vlerat dhe mbrojtur interesat e vendeve”.

Moderatorja e punimeve të Kongresit, duke ftuar Kryeministrin Berisha të merrte fjalën në këtë Kongres, u shpreh se, gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka bërë shumë progres dhe është më afër se kurrë drejt BE-së, falë punës së shkëlqyer të qeverisë aktuale. Këto arritje janë njohur nga Bashkimi Evropian dhe nga bota, pavarësisht sjelljes anti-demokratike të socialistëve në Shqipëri.

Kryeministri Berisha, duke përshëndetur pjesëmarrësit në këtë Kongres, bëri një paraqitje të zhvillimeve dhe ecurisë së Shqipërisë përgjatë viteve të fundit.

Kryeministri u ndal në  zhvillimin ekonomik të vendit, nxitjen e investimeve, reformat ne sistemin e taksave, në dogana, në luftën kundër informalitetit, zhvillimin e turizmit, etj.

Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria po punon shumë për një projekt që është projekti i këtij shekulli, integrimi i vendit në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria ka pasur të kaluarën dhe trashëgiminë më të vështirë. Përpara 20 viteve, vendi e nisi këtë rrugë si një nga vendet më të shkatërruar nga diktatura, me të ardhura për frymë prej 204 dollarë amerikanë. Vendi im tani është një vend tjetër, me të ardhura për frymë prej 8000 dollarësh amerikanë, me një nivel varfërie prej 12.5 % dhe me një rritje të qartë kristal të jetëgjatësisë, është një vend ku jeta ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë”, tha Berisha.

Kryeministri sjell në vëmendje se “Shqipëria, gjatë qeverisjes socialiste, në vitet 1997-2005, ka pasur 38 milion dollarë investime të huaja direkte”.

Ndërsa, sipas tij, “vitin e kaluar ishte i vetmi vend në rajon me një rritje të investimeve të huaja direkte, 1 miliardë e 97 milionë dollarë amerikanë”. “Shqipëria është një vend shumë i bukur, por në vitin 2004 pati gjithsej 300 mijë turistë dhe vizitorë, ndërsa vitin e kaluar vendi im pati 3.5 milionë turistë”, tha Berisha.

Kryeministri thekson se “ekonomia e Shqipërisë mbytej nga taksat e larta dhe informaliteti, por pasi u vendos taksa e sheshtë prej 10%, dhe u ulën shumë lloje taksash, rezultati ishte se në vitet 2006-2010 u mblodhën rreth 7 miliardë dollarë më shumë se qeveria e mëparshme”.

Kryeministri fajësoi opozitën për bllokimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, pasi sipas tij, “ata kurrë nuk pranuan të votonin asnjë reformë të BE-së në parlament”.

“Megjithatë, tani falë zgjedhësve shqiptarë, jeta i është kthyer normalitetit, mësimet u nxorën dhe ju siguroj se ne mbetemi të angazhuar dhe do të qëndrojmë me principet që ndajmë së bashku”, tha Berisha.