Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 20:04

Tiranë-  Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot, që viti jubilar i 100 vjetorit të pavarësisë të shërbejë për zbardhjen e të vërtetave të historisë së kombit.

Në mbledhjen e komitetit ndërministror për 100 vjetorin e pavarësisë, Kryeministri tha se, do të hartohet një plan veprimtarish të rëndësishme dhe të domosdoshme për kremtimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, veprimtari këto që do të shtrihen në të gjithë vitin, për të kujtuar ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

Kryeministri Berisha kërkoi që të bëhen përpjekje për ta shndërruar këtë vit, në vitin e të vërtetave të mëdha kombëtare, për të cilën shqiptarët kanë shumë nevojë. “Shqiptarët do të donin që ky vit të jetë viti i të vërtetave të historisë së tyre, jashtë çdo lloj manipulimi. Sigurisht që në të gjithë këtë proces rolin më të kryesor e kanë studiuesit dhe historianët”, tha Berisha.

Sipas tij, “një nga momentet që kërkon një vështrim objektiv është momenti i luftës çlirimtare, që përbën gjithnjë një faqe të ndritur në historinë tonë kombëtare”. Në këtë kuadër, Kreu i ekzekutivit kërkoi ridimensionimin e figurës së Mbretit Zog, si dhe vlerësimin e atyre personaliteteve që luajtën rol të rëndësishëm përkrah familjeve shqiptare, në mbrojtje të hebrenjve.

“Këto nuk janë absolutisht çështje të politikës, por janë çështje të historianëve dhe studiuesve që duhet t’i trajtojnë në mënyrë objektive. Këto ditë ne kremtuam 92 vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet dhe kjo datë nuk figuronte askund vetëm për faktin se ata që kishin qenë protagonistë të kësaj ngjarje u shpallën më vonë armiq. Ndaj, le të jetë ky vit inspirues për sa i përket të vërtetave të kombit, që janë shumë të rëndësishme”, tha Berisha.

Gjithashtu, Kryeministri informoi se këtë vit organizata “Vatra” feston 100 vjetorin e themelimit të saj. “Për një shekull, “Vatra” ka qenë zemra shqiptare që rrihte në liri për kombin dhe vendin, ka qenë flakë e pashuar e lirisë së shqiptarëve, avokate e pamposhtur e kombit dhe vendit, në vendin më të madh dhe më të lirë të botës”, tha Berisha.

Duke vlerësuar rolin e kësaj organizate në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, Berisha tha se “Vatra” mbajti të gjallë vizionin e lirisë të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha viset ku ata ndodhen.

Ndaj, kryeministri Berisha propozoi që Shqipëria të japë një kontribut simbolik në festimet që do të organizohen për 100 vjetorin e “Vatrës”.