Lajme Shqip Tuesday, 06 March 2012 13:58

Tiranë -Shndërrimi në program pune i kërkesave të Komisionit Europian është qëllimi kryesor i qeverisë, u shpreh sot kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit.

Sipas Kryeministrit, qeveria është e angazhuar të bëjë gjithçka për të plotësuar kërkesat që vijnë nga Komisioni Europian, por për këtë duhet edhe bashkëpunimi i opozitës.

“Ky vit, për njëlloj specifike të krijuar nga qëndrimet tashmë të njohura të opozitës, ka një ndarje të re mes qeverisë dhe parlamentit në sensin e planit të veprimit në tërësinë e tij”, tha Berisha, duke shtuar se “plani i veprimit është shndërruar në një dokument të miratuar në Komisionin e Integrimit nga maxhoranca dhe opozita, gjë që është mjaft pozitive. Ky fakt vetëm sa dyfishon përgjegjësitë e qeverisë”.

Sipas Kryeministrit, “Qeveria dhe agjencitë e saj duhet të bëjnë gjithçka për zbatimin e të gjitha kërkesave dhe standardeve të raportit. Gjithashtu, ato të komunikojnë në mënyrë konstante me Komisionin e Integrimit dhe të raportojnë sa herë që kërkohet nga ky komision, sikundër të përshtasin qëndrimet me ato të cilat bihet dakord në Komisionin e Integrimit”.

Kreu i qeverisë theksoi se “procesi i integrimit evropian është një proces gjithpërfshirës. Asnjëherë nuk ka qenë ndryshe.  E tërë hisoria e zgjerimit të BE është histori konsensusi dhe gjithpërfshirjeje mes forcave. Nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë ndonjëherë shembulli shqiptar, që ka si praktikë ku maxhoranca miraton ligjet, vendimet dhe opozita nuk pranon t’i votojë. Kjo nuk është një praktikë që mund ta miratojë Brukseli dhe vendet anëtare”.   

“Nuk ka asgjë më bizarre, më të pakonceptueshme sesa të mos votohen në parlament reformat, të cilat kërkohen nga KE, në një proces që synon të bëjë qytetarët shqiptarë më të lirë, më të begatë, më të sigurtë”, tha Berisha.

“Mos votimi i këtyre reformave e la Shqipërinë 2 vjet pa status. Kreu i opozitës deklaronte se pas zgjedhjeve të 8 majit 2011 do të votonte çdo gjë që do të kërkohej për integrimin evropian. E vërteta është se pati ndryshime pasi opozita hyri në parlament, votoi, amendoi ligjet, por ajo që ndodhi javën e shkuar ishte sërish rikthim në politikën e vjetër të bllokimit. Tashmë votuan sërish kodin edhe një herë”, tha Berisha. (LajmeShqip.com)