Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 13:25

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi të enjten në mbledhjen e radhës së qeverisë se lufta ndaj korrupsionit mbetet parimi themelor dhe reforma e të gjitha reformave në vend.

“Lufta kundër korrupsionit është dhe do mbetet parimi më themelor, reforma e të gjitha reformave të vendit. Kjo është një betejë e pandërprerë, ndaj është detyrë e institucioneve shtetërore, ligjeve dhe praktikave që ta mbrojnë atë për të mos rënë pre e këtij fenomeni”, u shpreh kryeministri.

Ai garantoi se themeli i suksesit të modelit ekonomik të Shqipërisë është rezultat i luftës antikorrupsion, pasi pa të reformat do të kishin mbetur në letër, të vdekura.

Kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të mundësojë që çdo procedurë të jetë transparente, për të garantuar  reforma të suksesshme.

“Ne duhet të bëjmë që çdo procedurë të jetë transparente në mënyrë që reformat tona të kenë sukses.

Shndërrimi i procedurave dhe gjithë burokracive në rrugë dixhitale është rruga më e sigurtë për të garantuar transparencë maksimale. Kjo qeveri është dhe do të mbetet qeveri e transparencës së plotë, në të gjitha procedurat, tenderat, koncesione, privatizime, zgjedhje e çdo gjë tjetër”, u shpreh Berisha.

Në këtë kuadër, kryeministri theksoi se është i inkurajuar nga fakti që Bashkia e Tiranës po shqyrton mundësinë e lejeve të ndërtimit ‘one stop shop’, të cilat sipas tij, “ishin shndërruar në një mjet të tmerrshëm në këtë bashki”.