Lajme Shqip Friday, 02 September 2011 18:27

Peqin – Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mori pjesë në homazhet e zhvilluara për efektivin e Policisë, Zabit Caka, i vrarë një natë më parë në krye të detyrës.

I shoqëruar nga deputetë të Elbasanit, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit, Hysni Burgaj si edhe përfaqësues të presidencës, kryeministri shprehu ngushëllimet më të thella për oficerin, Zabit Caka, i cili u vra dje gjatë një aksioni policor në kapje të një shtetasi të dyshuar për vjedhje.

“Oficeri Zabit Caka ka rënë në krye të detyrës me një trimëri dhe vetëmohim të paparë. Ngushëlloj familjen, qytetarët e Peqinit, kolegët e tij në Komisariatin e Policisë së Peqinit, dhe të gjithë efektivat e Policisë së shtetit”, tha në fjalën e tij kryeministri, pas zhvillimit të homazheve në ambientet e Qendrës së Kulturës  “Ferdinand Deda” të qytetit të Peqinit.

Duke ngushëlluar familjarët e efektivit të rënë në krye të detyrës, kryeministri shtoi se, “ai ra në betejë me armikun më të egër të çdo qytetari të këtij vendi, që është krimi i organizuar”. “Humbja është shumë e madhe, por qëndresa dhe burrëria e tij dhe e shokëve të tjerë është frymëzuese për të gjithë shërbëtorët e zbatimit të ligjit në çdo detyrë që ndodhen”, përfundoi kryeministri i vendit, Sali Berisha.

Trupi i pajetë i 50-vjeçarit, Zabit Caka do të prehet në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Elbasanit. Babai i katër fëmijëve, tre vajzave dhe një djali 17 vjeçar u vra dje gjatë një operacioni për të kapur shtetasin, Leonardo Tabaku i cili tentoi të vidhte transformatorin e ujit të pijshëm në fshatin Gryksh të komunës Shezë, në rrethin e Peqinit.

Ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të patrullës së Policisë, ku dy plumba i morën jetën oficerit të Policisë, Zabit Caka. Më pas 40 vjeçari, Leonardo Tabaku i dha fund jetës duke u vetëvrarë.