Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 07:33

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi investimin e kompanisë Verbund AG Hydro Power, që po e realizon projektin për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës dhe e cilësoi këtë një investim të rëndësishëm për sistemin energjetik shqiptar.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti dje pasdite në takim, drejtues dhe anëtarë të Bordit të kompanisë Verbund AG Hydro Poëer, Karl-Heinz Gruber, Gunther Rabensteiner dhe Dietmar Reiner.

Ai vlerësoi punën e bërë dhe teknologjinë e re të aplikuar në këtë projekt, duke e konsideruar atë pjesë të programit të qeverisë për rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë në vend.

Kompania austriake Verbund ka vënë në zbatim projektin për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës në Bushat, Shkodër, në bashkëpunimin me kompaninë EVN. Ky projekt është një investim me vlerë rreth 200 milion euro që parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve Ashta 1 dhe Ashta 2, duke përdorur teknologjinë më të avancuar në këtë fushë.

Drejtuesit e kompanisë e informuan Kryeministrin Berisha për përfundimin e projektit të hidrocentralit Ashta 1, ceremonia e inaugurimit të të cilit do të zhvillohet të martën.

Kryeministri Berisha mbështeti gjithashtu synimet e kompanisë për të investuar edhe në projekte të tjera në fushën e energjisë në Shqipëri.