Lajme Shqip Thursday, 21 July 2011 07:44

Tiranë – “Gramoz Pashko ishte një liberal i vërtetë me shpirt të lirë, një nga themeluesit kryesorë të Partisë Demokratike por njëkohësisht ishte edhe themeluesi i ekonomisë së tregut në Shqipëri”, tha dje, Kryeministri Sali Berisha, në ceremoninë përkujtimore që u zhvillua në nderim të figurës së Gramoz Pashkos, në 5-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Nën kujdesin e Kryeministrit Berisha u zhvillua dje pasdite në hotel Sheraton, një ceremoni përkujtimore në nderim të figurës së Gramoz Pashkos, ku merrnin pjesë personalitete të shquara .

Duke shprehur krenarinë që pati një mik si Gramoz Pashko, Berisha tha se sot të gjithë nderojnë një personalitet dhe një nga intelektualët më të shquar të kombit dhe të vendit.

Sipas kryeministrit “kjo figurë poliedrike ishte një shpirt i lirë liberal frymëzues”. Duke kujtuar vitet ’90, Berisha tha se Gramoz Pashko ishte një ndër intelektualët që kishin shprehur një mendim disi ndryshe ndaj sistemit, por ishte i vetmi ndër ta, që kishte një shpirt liberal.

“Selia e parë e PD-së që do të themelohej pas 45 vitesh diktaturë ishte shtëpia e Gramoz Pashkos. Në ato ditë dhjetori që në fakt ndanë epokat dhe sistemet, Gramoz Pashko do të ishte një ndër themeluesit më kryesorë të Partisë Demokratike dhe të programit të saj ekonomik”, tha Berisha.

Kryeministri kujton se Shqipëria e fillimviteve ’90 kishte një sistem ekonomik të falimentuar dhe në këtë drejtim, ai thekson se Gramoz Pashko ishte arkitekti i programit ekonomik të tregut të lirë të opozitës së atëhershme shqiptare”.

“Gramoz Pashko ishte intelektuali i apasionuar pas dijes. Ai është liberali më i madh i këtij vendi dhe kombi që do të themelonte universitetin e parë privat, një nga universitetet më të mira të vendit. Vdekja është një fenomen i pashmangshëm, por veprat dhe kujtimet që ai ka lënë prapa, në fakt janë pjesë e pavdekësisë”, tha Berisha, ndërsa siguroi se vepra e Gramoz Pashkos do të nderohet gjithmonë.