Lajme Shqip Sunday, 04 September 2011 15:25

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha ka përsëritur të dielën vullnetin e maxhorancës për të bashkëpunuar me opozitën. Në konferencën për shtyp me Presidentin e Hondurasit, Berisha u pyet nga gazetarët dhe për bashkëpunimin me opozitën, e cila prezencën e saj në sesionin e ri parlamentar që nis të hënën e ka kushtëzuar  me një paketë kushtesh apo reformash, siç pretendojnë eksponentë të saj.

“Qeveria do të pranojë çdo propozim konstrukstiv nga opozita dhe do ta vlerësojë e shqyrtojë atë me interesin e seriozitetin më të madh. Ky është një qëndrim konstant i kësaj qeverie, nuk ka lidhje me kushte. E rëndësishme është që bashkërisht të punojmë për konsolidimin e shtetit ligjor, lirive dhe të drejtave të qytetarëve, institucioneve demokratike”, tha Kryeministri.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve se a është e gatshme maxhoranca të përfshijë në ndryshimet në Kodin Zgjedhor, opinionin që do të japë Komisioni i Venecias, pas letrës që i ka dërguar Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës lidhur me zgjedhjet e 8 majit, Kryeministri tha se “qeveria në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se është tërësisht e hapur ndaj Komisionit të Venecias, se mirëpret kontributin e këtij Komisioni në reformën zgjedhore e të OSBE/ODIHR”.

Gjithsesi, Kryeministri e cilësoi Kodi aktual Zgjedhor më konsensualin në historinë e vendit.

“Është një ligj në të cilin qeveria nuk ka refuzuar qoftë edhe një nen të vetëm të propozuar nga opozita. Ligj, i cili ka pasur ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR. Kjo ekspertizë e vlerëson këtë ligj si një bazë ligjore solide për zgjedhje demokratike. Duke theksuar këtë, ekzistojnë për dy zgjedhjet e fundit, një seri rekomandimesh të OSBE/ODIHR-it. Mendoj se në përpjekje të përbashkët me opozitën, ne i kemi të gjitha gjërat tani të qarta në tryezë. E garantoj se qeveria është plotësisht e vendosur të zbatojë, të konvertojë, përktheje në ligje e vendime, së bashku me opozitën, secilin prej këtyre rekomandimeve”, tha Berisha.

Kryeministri theksoi se ne mirëpresim plotësisht ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, në konkretizimin apo në shndërrimin në ligj brenda standardeve ndërkombëtare të këtyre rekomandimeve.