Lajme Shqip Wednesday, 17 July 2013 11:59

Tiranë – Kryeministri në ikje, Sali Berisha në mbledhjen e sotme të këshillit të ministrave u shpreh se PD po mban një premtim të sajin duke rritur rrogat dhe pensionet edhe për këtë vit. Sipas tij, ky vendim duhet të ishte marrë që në muajin qershor, por për të mos u përdorur për qëllime elektorale, sic tha ai, ky vendim u mor në këtë moment.

Pas rritjes së pagave me 11%, Berisha u shpreh se qeveria do rrisë pensionet me 4% për mijë persona, ndërsa në fshat pensioni do të rritet 5 përqind.

“Rritja e rrogave bëhet motivim dhe stimul për administratën për një performancë më të mirë. Kjo politikë konstante e jona, ky vendim do merrej në qershor, por nuk u mor që të shmangej cdo lloj keqkuptimi të përdorimit të tij për qëllime elektorale. PD dhe qeveria e saj u përmbahen disa parimeve shumë solide, të ndershme e të drejta, u shty pas zgjedhjeve për të shtyrë efektin e presupozuar elektoral të tij.

Në cdo vit kemi rritur rrogat dhe pensionet 2 deri në 4 herë më shumë se inflacioni dhe rritja është më e madhja e realizuar në këto vite në ndonjë vend. Ky vendim parashikon rritjen në masën 4% të pensioneve, për një numër prej 590 mijë personash, rriten pensionet e plota, të pjesshme e të reduktura, pensionet familjare, apo shtesat mbi pensionin e posacëm shtetëror. Me këtë rritje nuk do të ketë pension ndër 12 mijë e 24 lekë, ky është pensioni minimal në qytet. Në fshat, në rast se ka qënë 3 e 400 lekë, do jetë në 8 mijë e 232 lekë, pra rritet më shumë se dyfishi, rritja kësaj herë është rreth 5%”, tha Berisha.