Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 20:25

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë nuk u bë thjesht për marrëdhëniet bilaterale mes vendeve, por për rrugën e Kosovës drejt strukturave europiane.

“U bë një kompromis nga të dy palët, Serbia hoqi dorë nga Rezoluta 1244, kurse Kosova pranoi fusnotën. Kosova pranoi të mos citohej direkt deklarata e pavarësisë, por të citohet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare. Absolutisht e njëjta gjë, madje e cituar nga Gjykata në një farë mënyre citohet dhe pavarësia e Kosovës”, tha Berisha.

Sipas Kryeministrit, fusnota ishte e domosdoshme për Kosovën, pasi 5 vende të BE-së nuk e kanë njohur ende Kosovën dhe se pa votat e këtyre 5 vendeve ndalen hapat e Kosovës drejt BE.

“Marrëveshja  nuk është për Serbinë dhe marrëdhëniet me Serbinë, këtu ka diçka më madhore, ka të bëjë me perspektivën europiane të Kosovës për në BE. Unë e kuptoj se më e mira do ishte të mos kishte asnjë fusnotë dhe Kosova të njihej nga gjitha vendet e BE, por realiteti është ky që është”.

“Kjo marrëveshje është qartësisht pozitive dhe e rëndësishme për objektivin madhor që ka i gjithë rajoni për integrimin në BE”, deklaroi Kryeministri.