Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 16:59

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha ritheksoi sot vendosmërinë e maxhorancës qeverisëse për zbatimin dhe respektimin e Kushtetutës.

“Ajo që mund të këshilloja opozitën është që të merren me statutin e PS-së, pasi kjo do të ishte ndihma më e madhe që mund t’i japin partisë së tyre, meqënëse kanë vendosur të konsumojnë gushtin me problematika”, tha Berisha.

Ndërsa i pyetur nëse do ketë oferta të reja për PS-në sikurse zgjedhja e një presidenti konsensual në 2012, përveç asaj për reformën zgjedhore, shefi i qeverisë tha se, ofertë për opozitën mbetet vetëm respektimi i Kushtetutës.

“Oferta ime është zbatimi dhe respektimi i Kushtetutës dhe nuk e bëj këtë për interesin e maxhorancës apo të qeverisë, por për interesin jetik të çdo qytetari”, deklaroi Berisha.

Gjithashtu, kryeministri dhe njëherësh lideri i PD-së iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur edhe me arsyen e moszgjedhjes së strukturave më të rëndësishme të partisë që ai drejton, si nënkryetarit dhe sekretarit të përgjithshëm gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar pak ditë më parë.

Ai bëri të ditur se, kryesia u shty për shkak të mbylljes përfundimtare të këtyre zgjedhjeve që është data 30 gusht dhe në përfundim të pushimeve do të mblidhet kryesia e më pas Këshillit Kombëtar për të proceduar me të gjitha zgjedhjet.