Lajme Shqip Sunday, 10 November 2013 11:54

Tiranë- Përmes rrjetit social “Facebook”, ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën që pritet të zhvillohet të hënën nga Partia Demokratike, kundër asaj që opozita shqiptare e cilëson si blerje të votës së lirë në zgjedhjet për kryebashkiakun e Korçës. 

Ish-kryeministri Berisha thekson se pjesëmarrja në këtë protestë është një përgjegjësi dhe detyrim madhor për çdo qytetar, i cili pavarësisht nga bindjet e tij politike beson tek vota e lirë. 

“Miq! Të protestojmë të gjithë për votën e lirë! Të dashur miq, të hënën nis protesta mbarë popullore kundër regjimit kleptokratik të Edi Ramës, poshtërimit që ai, me aktin e rëndë kriminal të blerjes së votave i bëri jo vetëm Korçës, por edhe Shqipërisë dhe shqiptarëve, lirisë dhe dinjitetit të tyre. Pjesëmarrja në këtë protestë është përgjegjësi dhe detyrim madhor i çdo qytetari shqiptar, i cili pavarësisht nga bindjet partiake beson tek vota e lirë si vlerë themelore, pa të cilën liria dhe demokracia nuk ekzistojnë. Protesta për votën e lirë e thirrur nga Partia Demokratike është protestë për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen tonë europiane. Le të marrim të gjithë pjesë në protestën qytetare për votën e lirë ditën e hënë!!”- shkruan Berisha në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. /ballkanweb/