Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 09:00

Tiranë (PLOTESUAR 26 prill, 12:30)- “SHBA-të janë shumë të interesuara ta shikojnë Shqipërinë sa më parë vënd anëtar të Bashkimit Europian dhe se do të vijojnë të mbështesin fuqishëm në këtë rrugëtim drejt BE-së, por edhe në të gjitha fushat e tjera të bashkëpunimit dypalësh”, rikonfirmoi Sekretarja e Shtetit Hillary.

Në pronocimin për shtyp që dha zonja Clinton u shpreh, “Është një nder të mirëpres Kryeministrin e Shqipërisë, këtu, në Departamentin e Shtetit. Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në NATO, si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe ne kemi një marrëdhënie të gjerë e të thelle që e vlerësojmë lart. Mezi pres të diskutoj me Kryeministrin Berisha për shumë çështje, për të cilat ne po punojmë si në aspektin dypalësh, rajonal dhe atë global”, u shpreh Clinton.

Sekretarja Clinton i rikonfirmoi Kryeministrit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të interesuara ta shikojnë Shqipërinë sa më parë vend anëtar të Bashkimit Europian dhe se do të vijojnë të mbështesin fuqishëm në këtë rrugëtim drejt BE-së, por edhe në të gjitha fushat e tjera të bashkëpunimit dypalësh. (LajmeShqip.com)

***********************

Uashington-Kryeministri Sali Berisha është takuar sot në mbrëmje me sekretaren amerikane të shtetit Hilari Klinton të cilën e ka ftuar të vizitojë Shqipërinë në përvjetorin e 100 të pavarësisë së vendit.

Duke folur para gazetarëve, përkrah shefes së diplomacisë amerikane Berisha tha se ishte shumë i lumtur që po takohej me Klinton.

“Jam shumë mirënjohës dhe shumë i lumtur që jam sot këtu dhe takohem me sekretaren Klinton. Ajo është një mike e madhe e vendit dhe kombit tim. Por ju pranoj se një nga arsyet e këtij takimi është që ta bind zonjën Klinton të vijë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. SHBA kanë luajtur një rrol kyç në të gjitha momentet më të vështira të historisë tonë ndaj dhe çdo shqiptar do të ishte krenar dhe i lumtur për këtë”-tha Berisha i buzëqeshur.

Nga ana tjetër sekretarja Klinton tha se është një nder për të që pret kryeministrin e Shqipërisë në Departamentin e Shtetit.

“Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të rëndësishëm me SHBA-të në NATO si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe kemi një marrëdhënie të thellë të cilën e vlerësojmë lart”-tha Klinton ndërsa mirpriti Berishën. (LajmeShqip.com)