Lajme Shqip Tuesday, 16 August 2011 15:39

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha dha një pritje për aktoren e mirënjohur të Hollivudit, me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, e cila po viziton vendin tonë për realizimin e një dokumentari që do të promovojë në botë Shqipërinë.

Sipas njoftimit për shtyp nga Kryeministria, gjatë kësaj pritje z. Berisha i dorëzoi Eliza Dushkut pasaportën biometrike shqiptare dhe kartën e identitetit, pas kërkesës së saj për t’u pajisur me shtetësinë dhe dokumentet shqiptare të identifikimit. Aktorja Dushku u shpreh se ndjehej krenare që tashmë zotëronte dhe pasaportën shqiptare.

Më pas, biseda vazhdoi e ngrohtë rreth Shqipërisë, bukuritë e së cilës tërheqin çdo vit e më shumë vizitorë të huaj, zhvillimit të vendit dhe veçanërisht, turizmit. Dushku e njohu Kryeministrin me vizitat që ajo kishte zhvilluar në disa qytete të vendit, nga jugu në veri dhe impresionet e saj gjatë këtij udhëtimi, të cilin ajo e cilësoi mbresëlënës dhe që i mundësoi të njihej me natyrën, historinë, traditat, artin dhe kulturën shqiptare.

Kryeministri Berisha vlerësoi faktin që aktorja e mirënjohur ishte pjesë e projektit për realizimin e dokumentarit që promovon Shqipërinë turistike, historinë, traditat dhe potencialet e saj. Sipas tij, kjo iniciativë do të jetë një kontribut i çmuar për bërjen të njohur edhe më gjerë të bukurive të Shqipërisë dhe promovimin e turizmit shqiptar, e cila këtë vit është shpallur nga Lonely Planet si një ndër destinacionet kryesore turistike të botës.

“Shqipëria, tha kryeministri, me peisazhin e saj unik, ku ndërthuren malet me detin dhe liqenet, po bëhet një destinacion gjithnjë e më i preferuar për turistët e huaj, që edhe këtë vit kanë vizituar në një numër shumë të lartë Shqipërinë. Ne kemi bërë investime të mëdha për të mbështetur zhvillimin e turizmit në infrastrukturën rrugore, sikundër po ndërtojmë impiante të fuqishme për pastrimin e ujërave, kemi ndërmarrë nisma fiskale për përjashtimin nga taksat për një periudhë disavjeçare për ata që investojnë në zonat turistike malore dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që bukuritë shqiptare të bëhen gjithnjë e më të prekshme për këdo”, theksoi kreu i qeverisë.