Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 14:54

Kryeministri Berisha ka qenë i pranishëm në inagurimin e impiantit të ri të biokarburanteve në Porto Romano, ku ka thënë se qeveria e tij do të bëjë çdo gjë për një mjedis të pastër.

Gjatë fjalës së tij, Berisha nuk ka lënë pa sulmuar ata që kundërshtojnë ligjin e importit të plehrave, duke thënë se ata po kërkojnë vota në plehra.

“I them anti-globalistëve se nuk keni të ardhme. Se aleanca juaj e fundit e plehut është e dëshpëruar dhe e pashpresë. Se ju nuk promovoni aspak pavarësisht pozicionit, mjedisin e shëndetshëm. Mos kërkoni vota në plehra, se nuk do t`i gjeni”, ka thënë Berisha.

Ai ka sulmuar sërish programin ekonomik të PS-së, që sipas Berishës, kërkon të ngarkojë shqiptarët me taksa. Për Berishën, koha e tyre ka ikur me kohë.

“Qeveria do të bëjë gjithçka për mjedisin miqësor ndaj jush. Ata të cilët duan të vërsulen me taksa siç thonë, iu kujtoj që kjo është një kohë që shqiptarët nuk do ta pranojnë më”, ka theksuar Berisha.

 

Reagimi i Ramës për deklaratat e Berishës..

 

Kreu i opozitës, Edi Rama, i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Berisha, se PS-ja kërkon që të mbysë me taksa të pasurit, ndërsa pohoi se se Aleanca e Plehut kërkon të mbledhë vota në plehra.

Rama është mjaftuar vetëm me një fjali për të replikuar me Berishën, duke thënë se, nëse opozita vjen në pushtet, “Të pasurit do shpëtojnë nga gjobat, mjedisi nga plehrat dhe Shqipëria nga kënga e gjelit majë plehut”.