Ish- Kryeministri Sali Berisha, përsëriti në seancën e Kuvendit faktin se statusi i vendit kandidat për në BE po pengohet për shkak se po preket ligji për shërbimin civil.
Berisha tha se është duke u përgatitur një akt normativ për të rrëzuar konsensusin e arritur për këtë ligj.
“Statusi është i sigurt. Është gabim fatal nëse ne ndërmarrim veprime për ta shtyrë atë. Ju garantoj që dënojmë vendin në këtë mënyrë. Ministri i Jashtëm, bashkë me Kryeministrin, kanë mashtruar 100 përqind në Bruksel. Korpusi i nëpunësve civilë është një pasuri e madhe,” tha Berisha.
Ai akuzoi se në krye të Departamentit të Administratës Publike është vënë një i Bashkisë së Ramës.
Berisha shkoi më tej kur tha se po hiqen nga puna edhe socialistët, pasi kjo drejtori e ka pasur gjysmën me socialistë.
Fjalës së Berishës iu përgjigj kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, që e quajti Berishën bashkëkryetar të opozitës. Më herët Berisha e kishte quajtur Metën bashkëkryetar të mazhorancës.
“E vlerësoj shumë shqetësimin tuaj zoti bashkëkryetar i opozitës, që do të ndalësh socialistët që kanë ardhur në pushtet, për të larguar socialistët që ishin në punë,” tha Meta.
Ai shkoi edhe më tej kur tha se nuk do e zbatojë rregulloren e Kuvendit për Berishën, që nënkupton se ai do të flasë sa herë të dojë.
Pas këtij debati, Sali Berisha u largua nga salla e Kuvendit.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Berisha tha se “ecjen dhe notin i bëj pa asnjë përtesë”.
I pyetur nga gazetarët nëse Berisha është bashkëkryetar i PD-së, përgjigja e ish- Kryeministrit ndaj gazetares ishte arrogante: “Je zëdhënëse e zotit Meta”.
Ndërkohë në Kuvend u hoq nga rendi i ditës diskutimi për lirimin nga detyra të dy ish-anëtarëve të KQZ-së, Denar Biba dhe Albana Shtylla.
“Kjo pikë nuk ka qenë në rendin e diskutuar prej nesh. Konferenca e Kryetarëve nuk është njoftuar, por edhe ditën e mbledhjes kemi lënë vetëm miratimin e komisioneve dhe këshillave”, tha Paloka.
Opozita shkoi më tej kur akuzoi se ky ishte një shpërblim për dy ish- anëtarët e KQZ-së për veprimet e tyre.
Kurse Ilir Meta tha se nuk mund të mbahet me pahir në detyrë dikush që kërkon të largohet.
“Kjo ka të bëjë me vetë kërkesën e të interesuarve, të cilët nuk mund t’i mbajmë me pahir si anëtarë të KQZ-së. Nëse ju mendoni se kjo është shkelje e rregullores, mendoj se do ishte mirë të respektohen të drejtat e njeriut, se nuk mund të mbash me pahir një njeri në një detyre kur kërkon të largohet prej saj”, tha Meta.
Opozita e ndezi debatin për këtë çështje për shkak se Albana Shtylla, një nga anëtarët e dorëhequra të KQZ-së, përflitet se do të shkojë si Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit.
Pavarësisht debatit, kjo kërkesë e opozitës gjeti konsensusin e maxhorancës dhe u vendos heqja nga rendi i ditës së kësaj pike.
Seanca u mbyll me votimin e Vangjel Dules si nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Dule mori 104 vota pro.
Po ashtu u miratuan me 120 vota pro dhe asnjë kundër përbërja e komisioneve të përhershme të Kuvendit të Shqipërisë.
Gjithashtu është miratuar edhe përbërja e sekretarive të Kuvendit të Shqipërisë, me 117 vota pro.