Lajme Shqip Monday, 10 December 2012 15:40

Tiranë(PLOTESUAR 10 dhjetor 18:30) – Me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj zhvilloi sot një vizitë në Shqipëri. Haradinaj ka zhvilluar një sërë takimesh me politikanë shqiptarë, ndërkohë që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi sot me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” komandantin legjendar të UÇK-së, ish-kryeministrin dhe Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ramush Haradinaj në Kuvendin e Shqipërisë

Kombi shqiptar e ka zgjedhur tashmë rrugën e vet, ajo është drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Kështu u shpreh ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për nder të të cilit Kuvendi i Shqipërisë organizoi një seancë të posaçme parlamentare, ku ai iu drejtua deputetëve me nje fjale te shkurter.

Ish kryeministri tha se, dita e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka qenë dita e formalizimit të pozicionit të shqiptarëve. Haradinaj bëri thirrje që të rriten përpjekjet në mënyrë që shqiptaret të shkurtojnë rrugën drejt, siç tha ai, cakut të përbashkët, Bashkimi Evropian.

Në fjalën e tij, Haradinaj theksoi se tashmë faktori shqiptar në rajon është kyç ne disa fusha, ekonomi, politikë dhe në sigurinë e rajonit.  Ai u zotua se do të angazhohet plotësisht që edhe Kosova të zejë hapin drejt integrimit.

Ish kryeministri i Kosovës solli në vëmendje vitet 90 kur ai kishte ardhur për herë të parë në Shqipëri, duke theksuar se këtu ai gjeti atë që priste, “vëllezër dhe motra të gatshëm për të na bërë strehë dhe për të na ndihmuar, përkundër të gjitha vështirësive të kohës.”

“Liria erdhi, por si gjithnjë me flijime”- tha Haradinaj.

Seanca u hap nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila tha se Haradinaj i doli zot luftës së drejtë dhe të madhe të UÇK-së. “Ia dolët, ashtu siç të gjithë shqiptarët donin. Lufta ishte e drejtë. Sot pas kaq vitesh koha e njohu të drejtën e shqiptarëve.”- tha Topalli.

Rama-Haradinaj: Shqipëria e Kosova të bashkuar nën qiellin e BE
Kreu i PS-së, Edi Rama në konferencën për shtyp me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj bëri me dije se i ka komunikuar projektin e opozitës shqiptare për dy shtetet, i cili synon bashkimin e shqiptarëve nën qiellin e Bashkimit Evropian teksa ka shpalosur hapat konkret që do merren në këtë aspekt. 

“Kemi biseduar për atë që na pret në vijim si shqiptarë, si komb, si Shqipëri dhe si Kosovë, si sfidë për forcat politike respektive. Unë kam ndarë me mikun tonë të cmuar dhe shumë të posacëm këndvështrimin e PS-së lidhur me domosdoshmërinë për të ndërtuar një projekt të përbashkët konkret mes dy shteteve dhe qeverive për të pasur një udhërrëfyes drejt Bashkimit të shqiptarëve nën qiellin e Evropës së bashkuar. Një projekt që përfshin sistemin e arsimor të unifikuar, sigurimin e energjisë elektrike, ofertë turistike të unifikuar, sigurisht një projekt të përbashkët zhvillimi duke përfituar nga kapacitet që ka territori shqiptar këtej dhe andej kufirit për zhvillim rural të qëndrueshëm që nënkupton edhe bashkimin doganor mes dy shteteve”, theksoi Rama. 

Rama gjithashtu ka vlerësuar vendimin e Hagës për pafajësinë e Haradinaj si shenjë e pastërtisë dhe pafajësisë të luftës për clirimin e Kosovës.
“Këtë herë ka pasur një peshë të posaçme vizita e tij për të gjitha arsyet që dihen. Por, e përsëris se pafajësia e Ramush si një protagonistët e madhej të luftës çlirimtare është pafajësimi i vetë luftës së Kosovës dhe UCK-së”, u shpreh Rama. 

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj duke shprehur dëshirën për arritjen e sukseseve të reja, deklaroi se me rëndësi është përmirësimi i jetesës së qytetarëve.
“Ne jemi përcaktuar të gjithë për integrimin për paqen në rajon, por më rëndësi kemi përmirësimin e jetës së qytetarëve. Biseduam si mund të rrisim më tej mirëqënien dhe bashkëpunimin”,- u shpreh Haradinaj.

Ndërkohë duke iu referuar nderit të bërë nga qyteti i Vlorës me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Haradinaj theksoi se do të gjejë rastin të falenderoj personalisht nëpërmjet një vizite vlonjatët. 
“E kam vizituar Shqipërinë kur bëheshim gati për luftën e Kosovës. Cmimi për mua nder i vecantë. Vlora është qytet i kombit, ruan në gjirin e vet ngjarje të rëndësishme, kam dëshirë të shkoj vetë e ti falënderoj”, shtoi Haradinaj.

Nishani-Haradinaj: Përpjekje të përbashkëta për integrimin euroatlantik
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim udhëheqësin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili viziton Tiranën me ftesë të Kryeministrit Berisha, pas vendimit të Gjykatës së Hagës dhe lirimit nga akuzat.

Presidenti Nishani vlerësoi maksimalisht kontributin e zotit Haradinaj si luftëtar, në drejtimin e njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës për çlirimin e saj; rolin e tij si politikan në ndërtimin e institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës, si dhe vendosmërinë dhe ndershmërinë në përballjen dinjitoze me drejtësinë ndërkombëtare, e cila dha një ndihmesë të çmuar në imazhin e vërtetë të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës të mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, pasi ishte një luftë e drejtë për liri. 

Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pasi e falënderoi Presidentin Nishani për konsideratën e lartë, e siguroi se do të vazhdojë të kontribuojë me konstruktivitet në politikën e Kosovës për të ecur përpara për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe integrimin euroatlantik.”.

Presidenti Nishani dhe zoti Haradinaj ndanë të njëjtin mendim për rritjen e mundësive, krijimin e hapësirave të përbashkëta për të forcuar bashkëpunimin me synim zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon. Presidenti Nishani dhe ish-Kryeministri i Kosovës, Haradinaj pasi shkëmbyen mendime në lidhje me situatën në vendet tona dhe në rajon u shprehën në një mendje se duhen harmonizuar dhe sinkronizuar përpjekjet për arritjen e objektivave të përbashkëta, për integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe Kosovës.

Nishani nderon Haradinaj me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu” 
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi sot me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” komandantin legjendar të UÇK-së, ish-kryeministrin dhe Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky titull iu dha Haradinajt me motivacionin “Për merita të shquara dhe kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin dhe udhëheqjen e spikatur të qëndresës së pashembullt e luftës legjendare të njësive të Ushtrisë për Çlirimin e Kosovës për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetëve e të pasurive të popullatës civile shqiptare e të integritetit territorial të trojeve shqiptare dhe për çlirimin e plotë të Kosovës. Për kontribut të çmuar, si Kryeministër i Kosovës dhe politikan i përkushtuar, në përpjekjet për rindërtimin e Kosovës dhe konsolidimin e institucioneve demokratike e të shtetit ligjor, si dhe të një shoqërie të hapur që garanton respektimin e plotë të të drejtave të individit e minoriteteve, për mbështetjen dhe kontributin në shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj. Për sakrificën e jashtëzakonshme e paradigmatike, në shërbim të drejtësisë ndërkombëtare dhe lartësimit të të vërtetave e luftës heroike e të drejtë çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë. Për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të konsolidimit të lidhjeve vëllazërore dhe zgjerimit e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës e për projektin madhor të bashkimit kombëtar e integrimit në Bashkimin Evropian”.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast, në mjediset e Presidencës ishte i pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Në fjalën përshëndetëse të rastit, Kryetari i Shtetit shqiptar çmoi lart veprimtarinë dhe kontributin e paçmuar patriotik e kombëtar të zotit Haradinaj.

Shtetësia, Berisha: Këtë javë miratohet vendimi. Haradinaj: E drejtë e munguar
Me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj zhvilloi sot një vizitë në Shqipëri.Gjatë konferencës për shtyp mes tyre, kryeministri Berisha e ka quajtur vizitën e tij, historike, po aq sa edhe vendimi i Hagës për pafajësinë e tij.

“Kjo vizitë është ngjarje shumë e rëndësishme. Haradinaj si komandat i Luftës Çlirimtare të Kosovës ka luajtur një rol themelor në lirinë e shqiptarëve dhe lirinë kombëtare. Liria kombëtare është vendosur vetëm me çlirimin e Kosovës”,- tha Berisha.

Kryeministri shqiptar dhe kryetari i AAK-së iu përgjigjën interesimit të gazetarëve për dhënien e shtetësisë shqiptare, për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, duke e cilësuar vendimin si zbatim i një të drejte të munguar për qytetarët. Kryeministri Berisha nënvizoi se vendimi për dhënien e shtetësisë shqiptare do të miratohet gjatë kësaj jave nga qeveria, në përputhje me ligjin ekzistues.

“Qëllimet e mia ndaj shtetësisë për shqiptarët kudo që janë, jam i bindur që kontribuojnë më shumë në paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Nga ana tjetër këto qëndrime janë adaptuar nga disa vende të BE. Maqedonasit nuk kanë probleme për zgjedhje identiteti apo rivalitet identiteti me shqiptarët. Bullgaria mike u jep shtetësi atyre qytetarëve që duan të marrin shtetësi bullgare. Nuk e ka bërë këtë në mënyrë absolute as për pretendim territorial ndaj Maqedonisë, përkundrazi”,- u shpreh kryeministri. 

“Sapo unë u deklarova për shtetësinë shqiptare të të gjithë shqiptarëve kudo që janë, u përballa jo vetëm me reagimin e albanofobeve, por edhe të mediave shqiptare, të cilave do t’iu kujtoj lexoni dekretin e ish- presidentit Berisha të vitit 1992. Fjalë për fjalë, kisha riprodhuar dekretin pikë për pikë në deklaratën time. Në atë kohë nuk kishte reagim. Duhet të kuptoni se shqiptarë janë të gjithë, edhe ata të diasporës. Historia nuk duhet mohuar”,- vijoi kryeministri. Nga ana e tij, ish-kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, theksoi se është e drejtë e bashkëkombasve, kudo që jetojnë, të mund të marrin shtetësinë shqiptare.

“U jepet një e drejtë e tyre, është e drejtë e tyre për ta shfrytëzuar. E shoh vetëm si zbatim i një të drejtë të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të vitit 1913”,- u shpreh Haradinaj.

Ndër të tjera, në fjalën e tij në konferencën e përbashkët, kryeministri Berisha u ndal dhe në tezën e bashkimit të shqiptarëve. Sipas Berishës kjo tezë të shërbejë si ideal i udhëheqjes së shqiptarëve kudo ndodhen.
“Z. Haradinaj, ne diskutuam bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës, ramë dakord që përpjekjet e bashkimit të shqiptarëve të jenë ideali i udhëheqjes së shqiptarëve kudo që ndodhen. Vullnetin politik e kemi për të vazhduar me vendosmëri të madhe të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Europën besoj se kjo është rruga që ky popull të japë kontributin për paqen”.

Berisha vlerësoi më tej rolin e Gjykatës së Hagës në lirimin e Ramush Haradinaj. “Shpreh nderimin dhe besimin e madh për Hagën, e cila nuk pranon ndikimet dhe interferencat politike të gatuara nga prapa perdeve korridoreve dhe skutave të diplomacisë apo sektorëve të tjerë. Shpalli 2 emra, pafajësinë e plotë, si të paqena akuzat absurde për të cilat z.Haradinaj u detyrua të paraqitej para kësaj gjykate. Pra ky vendim është njëkohësisht një nder dhe dinjitet për gjykatën e Hagës, për të cilën Shqipëria ka respektin më të madh dhe është përpjekur të japë kontributin më të madh modest në lehtësimin e veprimtarisë së kësaj gjykate”. 

Meta pret Haradinaj: Me rëndësi dialogu mes Kosovës dhe Serbisë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta priti sot në selinë e LSI-së, Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh ish-Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Meta, pasi e uroi Haradinaj për një rikthim dinjitoz dhe të shumëpritur nga të gjithë shqiptarët, theksoi rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar përgjegjshmërinë e lartë të treguar nga Haradinaj dhe AAK në shërbim të mbarëvajtjes së bisedimeve, si një kontribut të çmuar në interes të konstruktivitetit dhe paqes në rajon.

“Me këtë rast unë dua ta uroj për këtë rikthim tepër dinjitoz në politikën aktive dhe njëkohësisht dua ta përgëzoj në mënyrë të veçantë për reagimin tepër të përgjegjshëm në këtë rifillim të aktivitetit politik duke treguar një ndjenjë të lartë përgjegjësie, për të marrë përgjegjësi në emër të një të ardhme më të mirë për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin. Fakti që z. Haradinaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbështesin dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe fakti që një prej drejtuesve kryesorë të AAK-së është tashmë dhe koordinator në këto bisedime tregon se Ramush Haradinaj ashtu sikurse kontribuoi me sakrificat e tij, me gjakun e vëllezërve dhe shokëve të tij, për çlirimin e Kosovës është sot më i vendosur se kurrë që të kontribuojë për të fituar paqen, jo vetëm në të gjithë Kosovën por edhe në rajonin tonë”, tha në konferencën e përbashkët për shtyp Meta.

Haradinaj, vlerësoi rolin e Meta dhe të LSI-së si pjesë e koalicionit qeverisës në Shqipëri për një politikë të jashtme dhe rajonale tepër aktive në shërbim të njohjeve të mëtejshme të Kosovës dhe të stabilitetit në rajon. Në këtë kontekst, Haradinaj shprehu angazhimin e plotë të AAK në interes të forcimit të shtetit të Kosovës dhe të garantimit të të drejtave të të gjithë pakicave, siç është sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

“Është nder për mua të jem prapë me mikun tim, me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. z. Ilir Meta, në selinë e partisë LSI. Ne kemi një traditë të njohjes dhe komunikimit në përgjegjësi të ndryshme, qoftë që i ka ushtruar z. Ilir apo qoftë unë, por kurdoherë ajo që na ka lidhur është dëshira e madhe për të ndihmuar shqiptarët kudo që janë, për të arritur suksese në synimet që i kemi. Edhe sot e konfirmoj një gatishmëri timen për të vazhduar një bashkëpunim të tillë që të ndihmojmë vetveten, rrugën tonë ashtu sikurse edhe e tha edhe kryetari drejt integrimeve, drejt normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe drejt avancimit të çështjes shqiptare në Ballkan. Po ashtu unë sot meqë mendoj se shteti i ri i Kosovës është kontribut ose avancim i çështjes shqiptare kam sjellë, edhe për simbolikën e vet, hartën e Kosovës të cilën e kam nderin për ta dhuruar në shenjë të 100-vjetorit”, theksoi Haradinaj.

Meta dhe Haradinaj ranë dakord për intensifikimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të ngushtë mes LSI dhe AAK dhe shprehën bindjen se mbarë hapësira shqiptare në rajon sot, është më e çliruar dhe më e fortë se kurrë. (B.W/LajmeShqip.com)