Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 18:12

Durrës – “Qeveria shqiptare ka punuar për t’i dhënë Durrësit infrastrukturën e një qyteti modern dhe në katër vitet e ardhshme ajo do të mbështesë të gjitha projektet qytetare që do të paraqesë bashkia dhe kryetari i ardhshëm i saj Ferdinand Xhaferri”, tha sot pasdite në qytetin bregdetar kryeministri i vendit Sali Berisha.

Në takimin prezantues të kandidatit për kryetar bashkie që mbështetet nga koalicioni “Aleanca për qytetarin”, kryeministri Berisha tha se “ne duam që Durrësi të ngjitet në lartësitë e të shkuarës së tij madhështore dhe me vizionin e të ardhmës që ai meriton”.

Berisha e përkufizoi kandidatin për kryetar bashkie, Ferdinand Xhaferri si një nga personalitetet më të spikatura të Partisë Demokratike, një nga bijtë e Durrësit, ish-ministrin e suksesshëm të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

“Këto vite ne kemi bërë çdo gjë për t’i dhënë Durrësit infrastrukturën e një qyteti modern, kemi investuar në territorin e bashkisë së Durrësit nga Shkëmbi i Kavajës deri në Currila e Porto Romano 60 milion dollarë, kemi investuar në ujësjellës e kanalizime 30 milionë dollarë, kemi investuar në Portin e Durrësit 50 milionë dollarë, kemi rindërtuar dhe ndërtuar në rrethin e Durrësit 300 km rrugë, 52 shkolla, 105 ujësjellës dhe kanalizime” nënvizoi z. Berisha.

“Ne do ta kthejmë Durrësin në gjeneratorin kryesor të Shqipërisë”, tha më tej kryministri Sali Berisha, i cili vlerësoi se, “tashmë qyteti antik është bërë një nga destinacionet turistike më të rëndësishme në Mesdhe”.

Duke folur për fushatën eleketorale që ka nisur, Berisha shtoi se alternativa jonë është alternativa e ndryshimeve të mëdha dhe bazohet plotësisht te qytetari. “Punësimi, shërbimet dhe shëndeti juaj do të mbeten objektivat tonë kryesorë”, tha kryeministri Berisha.

“Qëllimi ynë është që ju të votoni të lirë, njëlloj si qytetarët evropianë, duke ju sjellë njëkohësisht edhe programin më të mirë që do ta zbatojmë së bashku me ju”, iu drejtua Berisha qytetarëve të pranishëm në pallatin e sportit të qytetit të Durrësit.

“Në alternativën tonë ne e përjashtojmë kundërshtarin, pasi na frymëzojnë vlerat dhe e ardhmja juaj”, tha kryeministri Berisha.

Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ferdinand Xhaferri, tha se, “nën drejtimin aktual të bashkisë qyteti me histori 3000-vjeçare është betonizuar. Qindra pemë janë prerë pa mëshirë në hyrje dhe në qendër të qytetit”, vazhdoi ai, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për të realizuar në katër vitet e ardhshme një program të ri.

“Qeveria shqiptare është përkujdesur që Durrësi të jetë një shtëpi e përbashkët për të gjithë durrsakët”, u shpreh Xhaferri, duke kujtuar investimet e viteve të fundit në rrugët e reja që kalojnë përmes ish-kënetës nga Shkozeti në Spitallë dhe në Porto Romano.

Sipas Xhaferrit, realizimi i një sistemi unazor të lëvizjeve, parkimi nëntokësor dhe disiplinimi i trafikut në qytet do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve.

“Ne jemi në garë bashkërisht që t’i japim Durrësit atë që ai meriton”, tha kandidati Xhaferri, i cili disa ditë më parë u dorëhoq nga detyrat e deputetit dhe e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të kërkuar nga qytetarët e Durrësit votën si kandidat i koalicionit “Aleanca për qytetarin”.