Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 11:51

Durrës – Qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për zhdukur pasojat e diskriminimit shekullor dhe të pamerituar ndaj komunitetit rom, deklaroi sot në Durrës kryeministri Sali Berisha, duke marrë pjesë në festën e Ditës ndërkombëtare të Romëve.

“Ju keni konstatuar tashmë që qeveria po bën reale strategjinë për strehimin, punësimin dhe shkollimin e fëmijëve tuaj”, iu drejtua ai pjesmarrësve të këtij komuniteti në takimin e organizuar në lagjen periferikë të Shkozetit.

“Ju garantoj se qeveria do të mobilizojë të gjitha potencialet e saj që ju të jeni qytetarë të barabartë para ligjit”, shtoi më tej kryeministri i vendit.

Pasi u njoh me studimin për krijimin e mjediseve të reja në një sipërfaqe prej 8 mijë metra katrorë, z. Berisha tha se qeveria do të financojë ngritjen e 100 apartamenteve të reja në këtë zonë, duke synuar aplikimin e projekteve të tilla në të gjitha qytetete e mëdha të Shqipërisë.

Kryeministri kërkoi mbështetjen e shoqatave të romëve për pajisjen e të gjithë qytetarëve të këtij komuniteti me dokumentin e identifikimit “si hapi i parë i madh drejt sigurisë tuaj”.

Ai përshëndeti angazhimin e deputetëve të Durrësit si dhe të kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ferdinand Xhaferraj, të cilët tashmë kanë paraqitur studimin për rehabilitimin e mjediseve të lagjes, ku banon më së shumti komuniteti rom.

Kandidati Xhaferraj kërkoi mbështetjen e qeverisë për programin e parashikuar në 4-vjeçarin e ardhshëm për banorët e këtij komuniteti.

Në qytetin e Durrësit banojnë rreth 181 familje të këtij komuniteti.