Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 17:45

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha e cilësoi sot, si kusht kryesor, zhvillimin e zonave malore dhe i potencialeve turistike të tyre, për të pasur një Shqipëri të zhvilluar.

Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se gjatë takimit me Unionin e Operatorëve Turistikë Shqiptar që operojnë në zonat malore, Berisha shkëmbeu me ta mendime mbi zhvillimin dhe problematikat e turizmit malor.

Gjatë këtij takimi operatorët turistikë parashtruan disa probleme lidhur me shtimin e kapaciteteve akomoduese, përmirësimin e furnizmit me energji dhe ujë, krijimit të lehtësirave për investitorët në këto zona.

Kreu i Ekzekutivit i siguroi ata se zhvillimi i turizmit malor është një përparësi dhe qeveria do të bëjë gjithçka për të nxitur zhvillimin e turizmit në këto zona, por edhe për të shfrytëzuar e kthyer në vlera të gjitha pasuritë që ato kanë.

“E kuptoj që turizmi malor është shumëformësh dhe ka prej tyre që thonë të mos ndërtohen rrugë, pasi nuk na duhen, sidomos po të pyesësh alpinistët, të cilët duan shtigje dhe është normale kjo dëshirë e tyre, por neve na duhet masiviteti, që t’i bëjmë të gjitha potencialet e mëdha disponibël”, nënvizoi Berisha.

Krahas infrastrukturës, për të inkurajuar investimet në zonat malore, kryeministri deklaroi se do të përjashtohen nga taksat për një periudhë 8 vjet të gjithë ata, që do të investojnë në zonat malore.

“Ne do të përcaktojmë një periudhë 8 vjet pa taksa, për të gjithë ata që do të investojnë në zonat malore. Kjo besoj do t’ua rrisë kurajon investitorëve për të ndërtuar në këto zona”, tha Berisha.

Ai bëri të ditur se projektligji për të krijuar zona pa asnjë takes, do të kalojë shumë shpejt dhe gradualisht investitorët do të fillojnë të ndërtojnë fillimisht fshatra turistikë e më pas hotele.

Kryeministri e cilësoi pozitive faktin që interesi për të vizituar zonat si në Voskopojë, Dardhë, Valbonë, Theth, Lurë, drejt Vermoshit, po rritet në mënyrë shumë të ndjeshme.

Duke kërkuar nga operatorët turistike të ruajnë dhe zhvillojnë traditën, Kryeministri Berisha tha se “gjithçka alpine është tërheqëse, e shijshme dhe e këndshme, ndaj ju duhet të përpiqeni ta ruani, zhvilloni dhe servirni”.

Një tjetër aspekt të rëndësishëm për zhvillimin e programuar të këtyre zonave, kryeministri konsideroi përfshirjen e komunave malore në Masterplanet e Zhvillimit që po kryhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe PNUD.

Ndërsa kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë, Sadik Malaj, tha se përmirësimi i infrastrukturës dhe nismat e qeverisë kanë dhënë efekt në zhvillimin e këtyre zonave dhe të turizmit malor, si dhe kanë sjellë rritjen e vëmendjes të komunitetit lokal për zhvillimin e potencialeve të tyre, por edhe të interesit të qytetarëve dhe biznesit drejt këtyre zonave.