Lajme Shqip Thursday, 04 July 2013 14:49

Tiranë – (E plotësuar)  Më datë 22 korrik anëtarësia e PD-së do të votojë për të zgjedhur kreun e ri të PD-së, në një garë mes kryebashkiakut Lulzim Basha dhe ministrit aktual të Transportit Sokol Olldashi. 

Kjo u bë e ditur sot pas mbledhjes rreth 2 orëshe së Kryesisë së PD-së nga vetë kryetari i dorëhequr i PD,  Sali Berisha. Ai tha se vërtet u paraqitën 4, por 2 janë kandidaturat finale. 

“Lulzim Basha dhe Sokoll Olldashi. Kryesia i paraqet para anëtarësisë këto si kandidatura zyrtare të PD”., raporton BWBerisha theksoi se parashikon një proces dinjitoz për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD. 

“Detyra e anëtarësisë së PD është të japë procesin më dinjitoz që ka dhënë ndonjëherë PD. Besoj se të dy kandidatët janë të përgatitur me qetësi të presin verdiktin e anëtarësisë së partisë. Pas kësaj fituesi do ketë të drejtë të ndërtojë lidershipin e ri të PD, natyrisht të propozojë ekipin që do të cojë PD në fitore. Por kryetari i ri do ketë një zë të fuqishëm në këtë cështje”. 

Kryetari i ri i PD-së do të zgjidhet sipas parimit një anëtar një votë, proces që shndërrohet për herë të parë si një sfidë për të shfaqur demokracinë e brendshme të kësaj partie.

 

Berisha do një ekip që çon në fitoren e PD-së 

 

Tiranë – Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh sot pas orës 13:00, për të shqyrtuar kandidaturat për kreun e ri të partisë, pas dorëheqjes nga detyrat partiake të liderit Berisha. Mbledhja u cel nga fjala e kryetarit te dorehequr, z Sali Berisha.
“Kam kënaqësi t’ju them se kandidaturat që plotësojnë kriteret janë katër. 
1-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, anëtari i kryesisë së PD, z Lulzim Basha. Nuk besoj se ka nevojë të ndalem në renditje e cv se anëtarësia duhet ta botoni nesër në gazetën e partisë. 
2-Sokol Olldashi, ministri i punëve publike 
Po që plotësojnë kushtet janë dhe 2 të tjerë. 
3-Astrit Sinanaj, që është anëtar i PD, dega Fier, 
4-kandidatura e katërt që ka paraqitur dokumentat është Sokol Prekpaja, dega tiranë e PD”, bëri të ditur Sali Berisha në mbledhje të kryesisë së PD. 
Sali Berisha njoftoi se ai që do të zgjidhet nga anëtarësia e PD, atij do t’i jepet drita jeshile të propozojë forumet, ekipin që ai mendon se i çon me shpejt në pushtet, raporton BW. 
Në hyrje të fjalës së tij kryetari i dorëhequr i PD këshilloi anëtarësinë demokrate që tashmë duhet të veprojnë dhe mendojnë si një opozitë e fuqishme që tenton të vijë në pushtet. 
“Është në detyrën tonë më parësore, flakja mënjanë e mantelit të një force politike në pushtet, përveshja e llërëve për t’u shndërruar në opozitën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë. PD ka potencialin më të madh sot se kurrë në historinë e saj për t’u bërë pushteti moral i vendit për të PD duhet të jetë e vetëdijshem në çdo qelizë të saj për domosdoshmërinë jetike si opozitë e sigurtë që ecën e sigurtë drejt fitores së radhës. Pikërisht në këtë kuadër, evenimenti më i rëndësishëm është gara për lidershipin e ri”. 
Berisha më tej ritheksoi se posti apo pozita partiake që gëzon dikush në anëtarësi nuk duhet përdorur në lobim të kandidatit që garon për lider të PD-së. 
“Kam gjykuar se është interesi më i mirë i secilit prej jush që dashur anëtarë të PD në tërësi që në këtë proces asnjeri të mos përdorë pushtetin partiak apo shtetëror për të ndikuar tek vota juaj. Jam i vetëdijshëm që me këtë qëndrim cënoj në një farë mënyre një të drejtë të atyre anëtarëve të PD që janë me pushtet partiak shtetëror apo administrativ, por ky është vetëm aparencë sepse unë jam shprehur se cilido prej këtyre zotërinjve dhe prej çdo zyrtari që dëshiron të lobojë publikisht dhe jopublikisht për njërin apo tjetrin kandidat të kësaj partie është i lutur të japë dorëheqjen fisnikërisht. Le të japë dorëheqjen dhe të lobojë për kandidatin që ai do”. 
Më tej, Berisha me tone të zbutura theksoi se transferimi i pushtetit në votë anëtarësie nuk është cenim i rëndë dhe se beson plotësisht në zgjedhjen me integritet të lidershipit të ri të PD. 
“Kjo mendoj unë sado krijon një lloj cenimi të lehtë është në procesin më të mirë të antërave apo antareve të PD. Unë kam besim të madh tek anëtarësia e PD, se do realizojmë procesin më të civilizuar që kjo ka njohur ndonjëherë. Kam besim se do zgjedhim një lidership që na premton të gjithëvë, tek i cili besoj shumë se do arrijmë qëllimin tonë. Kam besim tek integriteti, anëtarëve e zyrtarëve të PD dhe njerëzve të pushtetit të saj se do dinë jashtë cdo lloj interesi të bashkohen me lidershipin e ri për interesin më të mirë të PD”. 
Madje sipas Berishës, duhet që gjatë këtij procesi të refuzohen me përcmim cdo ndërhyrje që mund të bëhet nga jashtë. 
“Të refuzoni me përçmim cdo lloj ndërhyrje të cdo lloji e cilitdo, përpjekje të shëmtuara bëhen nga ata që kontrollojnë mediat, me atë botë me të cilën na lidh asnjë gjë, nga ata të huaj sharlatanë që harrojnë se kur tentojnë në këtë mënyrë janë vetëm një gjel mbi plehra dhe asgjë tjetër. Ndërgjegja dhe integriteti i juaji është më i lartë se askush tjetër”, tha Berisha duke shtuar se personalisht ai vetë nuk ka bërë asnjë ndërhyrje. 
“Nga Sali Berisha nuk keni asnjë përpjekje, zero. Detyra juaj është të nxjerrim procesin në bregun e fitores sic na takon”. 
Më pas mbledhja vijoi me dyer të mbyllura për mediat.