Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 11:22

Tiranë-Gjatë vizitës së tij në Norvegji, Kryeministri Sali Berisha u prit në një audiencë, nga Lartmadhëria e Tij Mbretërore, Princi i Kurorës, Haakon Magnus, bëri të ditur zyra për shtyp e Kryeministrisë.

Kryeministri Berisha e falënderoi Princin e Kurorës për pritjen shumë të përzemërt, si dhe për mbështetjen e madhe që Norvegjia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO.

Gjatë audiencës, Kryeministri e informoi Princin e Kurorës mbi qëllimet e vizitës në Norvegji, duke vënë theksin te bashkëpunimi bilateral dhe kryesisht, në fushën e energjisë së rinovueshme, teknologjisë së informacionit dhe mbështetjen në programin e pyllëzimit që ka qeveria shqiptare.

Pasi vuri në pah marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, Kryeministri theksoi se projekti i kaskadës së Devollit që po zbatohet nga kompania norvegjeze Statkraft, në bashkëpunim me kompaninë austriake EVN, është një tregues i qartë në këtë drejtim.

Kryeministri e njohu Princin e Kurorës me takimin shumë të mirë që pati me Kryeministrin Stoltenberg, si dhe me kërkesën për mbështetje nga qeveria norvegjeze të investitorëve norvegjezë në Shqipëri.

Lartmadhëria e Tij Mbretërore, Princi i Kurorës, Haakon Magnus, i uroi mirëseardhjen, si dhe i transmetoi përshëndetjet e Mbretit, i cili ndodhej jashtë Norvegjisë.

Ai u shpreh mjaft i impresionuar nga progresi i bërë në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Ai vlerësoi lart projektet dhe shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve.

Në përfundim të audiencës, Kryeministri e ftoi Mbretin e Norvegjisë si dhe Princin e Kurorës që të vizitojnë Shqipërinë, ftesë që u mirëprit me kënaqësi.