Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 18:16

Tiranë – Kryeministri Berisha vlerësoi sot, gjatë takimit me ministrin e Diasporës së Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, kontributin e rëndësishëm të diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si thellësisht atdhetare dhe që i ka shërbyer me devotshmëri çështjeve kombëtare gjatë gjithë kësaj periudhe.

Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se ministri Makolli e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe i shprehu vlerësimet më të larta për kontributin e jashtëzakonshëm dhe të padiskutueshëm të tij dhe të qeverisë shqiptare për promovimin e çështjeve kombëtare në përgjithësi dhe në veçanti për kontributin për Kosovën e për njohjen e plotë të pavarësisë të shtetit më të ri të Evropës.

Në takim u rikonfirmua vendosmëria dhe angazhimi i të dy vendeve për të ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë dhe për të zhvilluar një përqasje të përbashkët ndaj diasporës shqiptare me qëllim ruajtjen dhe kultivimin e identitetit dhe kulturës kombëtare, të lidhjeve të ngushta me diasporën, e cila tashmë është shndërruar jo vetëm në një kontribues të fuqishëm ekonomik për vendet, por edhe në një faktor të rëndësishëm politik e intelektual dhe një urë e rëndësishme për thellimin dhe konsolidimin e miqësisë midis Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit tonë me të gjitha vendet ku ata ndodhen.

Kryeministri Berisha e njohu ministrin Makolli se së shpejti do të ngrihet në Shqipëri Komiteti i Diasporës, i cili do të ketë si mision të tij dhe do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë lidhjeve me diasporën, si dhe kultivimin e identitetit të saj kombëtar, promovimin e arsimimit në gjuhën amtare dhe do të ketë si përparësi të punës së tij bashkëpunimin e ngushtë me ministrinë e Diasporës së Kosovës dhe me institucionet e tjera në vendet e rajonit, të cilat kanë si mision të tyre marrëdhëniet me shqiptarët jashtë atdheut.

Në këtë kontekst, në takim, u theksua rëndësia që shqiptarëve të diasporës t’u krijohet sa më shpejtë mundësia infrastrukturore për të votuar në zgjedhjet demokratike si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, duke ushtruar kështu një të drejtë kushtetuese të tyre dhe duke u shndërruar në aksionarë të vërtetë politikë në vendet e tyre pavarësisht distancës.