Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 11:00

Ceremonia e inagurimit të hapjes së 38 kilometrave të para të autostradës kosovare, që është vazhdimi i Rrugës së Kombit të ndërtuar në Shqipëri, do të zhvillohet mesditën e sotme në afërsi të kufirit, në Vërmicë, aty ku nisi puna më 25 prill të vitit të kaluar.

Përveç kryeministri të Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoni, do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha.

Autostrada kosovare, e cila me propozimin e qeverisë ka marrë emrin e presidentit historik Ibrahim Rugova, sipas projektit do kalojë gjithë vendin, nga Vërmica në kufirin me Shqipërinë, në Merdar – kufiri me Serbinë, në vazhdimin e Rrugës së Kombit nga Durrësi në Morinë.

Ndërtimi i 38 kilometrave të parë të autostradës Morinë-Merdar ka kushtuar 330 milionë euro.

Kryeministri Thaçi ka bërë të ditur vazhdimin e ndërtimit edhe në seksionet e tjera, duke deklaruar se “për vitin tjetër nga buxheti i Kosovës janë ndarë edhe 296 milionë euro që të vazhdojë ndërtimi i autostradës Vërmcë-Prishtinë”.