Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 18:57

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha priti sot ambasadorin e Indisë në Shqipëri, Debashish Chakravarti, me rastin e përfundimit të detyrës në Shqipëri.

Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin Chakravarti për kontributin e tij të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Indisë dhe theksoi rëndësinë e madhe që qeveria shqiptare vë në forcimin e marrëdhënieve dy palëshe në të gjitha fushat.

Nga ana e tij, ambasadori Chakravarti falënderoi kryeministrin për bashkëpunimin e frytshëm gjatë viteve të ushtrimit të mandatit të tij dhe siguroi për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi.

Ai vlerësoi progresin e madh që Shqipëria ka bërë gjatë viteve të fundit dhe çmoi rolin personal të kryeministrit Berisha në këtë drejtim.

Ambasadori shprehu rëndësinë e madhe që qeveria e Indisë vë në zhvillimin dhe rritjen e marrëdhënieve dypalëshe, duke theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe investimeve indiane në Shqipëri.

Kryeministri çmoi se figura e shquar e Nënë Terezës është një thesar i çmuar që dy vendet ndajnë me njëri-tjetrin dhe me mbarë njerëzimin.

Gjithashtu, pasi bëri një paraqitje të mundësive që Shqipëria ofron në fushën e bashkëpunimit ekonomik dy palësh, kryeministri Berisha siguroi ambasadorin për mbështetjen e qeverisë shqiptare për investimet indiane në fushat me interes.

Në përfundim të takimit, pasi i uroi suksese në detyrën e ardhshme kryeministri Berisha i përcolli ambasadorit Chakravarti ftesën për kryeministrin e Indisë dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror për të vizituar Shqipërinë.