Lajme Shqip Saturday, 01 December 2012 08:30

TIRANË– Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer sërisht historisë dhe çështjes kombëtare, duke thënë se ajo do jetë përjetë në programin e Partisë Demokratike. 

Në themel të Partisë Demokratike ishin aspiratat e të rinjve për të qënë pjesë e Europës, tha Berisha, ndërsa shtoi se çështja kombëtare qendron si yll polar në programin e PD-së. Kryeministri Berisha tha se me shpërbërjen e Perandorisë Osmane, fqinjët kanë dashur të na zhdukin, ndërsa ende sot në rajon qendron si një re, albanofobia.

“Albanofobia është një re që qarkullon në rajon, fqinjët na shihnin si qytetarë të dorës së dytë dhe të tretë, nuk mund t’i pranojnë shqiptarët si qytetarë të lirë, sot jemi më të bashkuar se kurrë, çdo pëllëmbë toke është territor në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Ata të cilët mendojnë që ne do mund të kemi çështje më të madhe se çështja kombëtare gabohen rëndë, duhet ta dinë mirë se shqiptarët janë adresuar, kanë përjetuar pas hebrenjve racizmin më të egër në rajon dhe më gjërë. Duhet ta dinë mirë se ndaj tyre më shumë se ndaj çdo kombi tjetër janë hartuar paraprakisht programe të shfarosjes së tyre. Ne festuam 100- vjetorin, por imagjinoni që paraardhësit nuk kishin shtet se një perandori që i kishte sunduar për 500 vjet donte t’i ndante, ndërsa fqinjët u vërsulën të tërbuar nën një aleancë të quajtur e shenjtë, që kishte si synim grabitjen e trojeve shqiptare dhe zhdukjen e trojeve shqiptare”, tha Berisha.

Për kryeministrin Berisha, Partia Demokratike ka në vëmendjen e saj dhe do të ketë gjithnjë edhe çështjen e Kosovës, që sot është e lirë falë luftës së UÇK.
“Partia Demokratike mbështeti me të gjithë potencialin e saj, burrin e madh, njeriun prej burrave më të rrallë të këtij kombi Presidentin Ibrahim Rugova, i cili një çështje për të cilën shumë pak flisnin ia doli me mençurinë e tij, me rezistencën e tij, me qëndrimin e tij ta çojë nga Prishtina në dhomën ovale të Bill Clinton. Sot Kosova është e Lirë, UÇK dhe UÇM bënë luftën e fundit në Evropë. Shqiptarët qëndruan si komb i vetëm dhe në çdo rast do qëndrojnë si një komb me një qëndrim”, nënvizoi ai.

Kryeministri Berisha e cilësoi ditën e sotme të rëndësishme për Partinë Demokratike, pasi në Tiranë u anëtarësuan 400 të rinj dhe të reja. Kryeministri tha se pikërisht të rinjtë kanë qënë përcaktuesit e fitoreve të Partisë Demokratike. 

“Sonte Partia Demokratike e Tiranës, por e gjithë Shqipërisë përjetojnë një ngjarje të madhe, të veçantë sepse në gjirin e saj sot anëtarësohen mbi 400 të rinj dhe të reja. Ky është nderi më i madh për të gjithë demokratët dhe demokratet e Tiranës, dhe gjithë Shqipërisë. Ky është besimi i të rinjve shqiptarë, të rinjve të Tiranës. Ju sot hyni në Partinë Demokratike, por unë mund t’ju them juve me bindjen më të thellë se kjo parti si asnjë parti tjetër në Shqipëri, jo për rastësi, si asnjë tjetër parti e qendrës së djathtë në Europë është mbi të gjitha parti e të rejave dhe të rinjve shqiptarë. Këto 22 vite, ju të rejat dhe të rinjtë e vendit tim keni qënë energji e pashtershme, guximi dhe trimërie, keni qënë përcaktuesit e çdo fitoreje të vecantë të PD-së”, tha Berisha. 

“Partia Demokratike u themelua në dhjetor të vitit ’90 si parti e aspiratave, ëndrrave europiane të të rinjve shqiptarë. Do të ishin studentët, të rinjtë e tjerë të qytetit, që do vendosnin në themele të partisë së tyre si vizion kryesor të saj, vizionin europian, Shqipërinë si Europa. Ishte përcaktimi i tyre profetik. Partia e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë që mbushën rrugët në përballje me diktaturën më të egër, do të themelohej si parti e interesit kombëtar. Ajo do shpallte në programin e saj si yll polar çështjen kombëtare shqiptare. Partia Demokratike u themelua si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore. Nuk ka ndonjë komb tjetër në Europë që të ketë paguar çmimin më të shtrenjtë, të ketë qendruar, sesa shqiptarët për vokacionin e tyre perëndimor. Ky vokacion është themeli i doktrinës së rilindasve tanë, për të cilët dhe kur jetonim në një perandori lindore, dielli për Shqipërinë dhe shqiptarët lind nga Perëndimi do të thoshte Naim Frashëri”, komentoi Berisha. 

Kryeministri Berisha tha ndër të tjera se ishin të rinjtë ata që përmbysën komunizmin, ndërsa e sollën PD në pushtet me votë kundër atyre që e kishim marrë pushtetin me dhunë në vitin 1997, siç komentoi ai.
“Vendi përjetoi diktaturën më të egër, por shqiptarët për të mbrojtur vokacionin e tyre perëndimor vuajtën më shumë se kushdo tjetër, u burgosën, internuan vetëm për besimin tek zoti e vlerat e qytetërimit europian. Pasardhësit e komunistëve erdhën me dhunë në pushtet me një rebelim në vitin 1997, por ishit ju ata që përzutë me votë ata që morën pushtetin me dhunë. Ju bëtë mrekulli”, tha Berisha.

“Para jush shtrohen dy alternativa ajo e integrimit dhe ajo e bllokimit. Edi Rama pas përpjekjes për të marrë pushtetin me dhunë në 21 janar, pasi ëndrra e Edi Ramës qe të mbante fjalim nga zyra ime, kjo s’mund të ndodhte, dhe pasi nuk pranonte të votonte asnjë ligj, bëri gjithçka për të bllokuar vizat. Unë jam i bindur se do marrë leksionin shekullor si etërit e tyre në 1992, nuk ia jap unë për të rinjtë dhe të rejat. Nuk mund t’ju zësh t’i të rinjve ëndrrën evropiane”, shtoi Berisha.(LajmeShqip.com)