Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 15:37

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha shprehu sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, mirënjohjen ndaj qytetarëve shqiptarë për sjelljen dinjitoze ndaj procesit të regjistrimit të banesave dhe popullsisë të zhvilluar gjatë këtij muaji. Sipas Berishës, ky ishte regjistrimi i parë modern me të gjitha standardet. 

“Nëse analizojmë historinë e regjistrimit të popullatës gjen një proces që në tërësinë e tij ka pasur problematika të shumëllojta, i realizuar në kohën e mbretërisë, pa diskutim që ishte në standarde, por s’mund të pretendohet që kishte mundësi reale për të patur saktësinë e sotme. Regjistrimi i bërë 10 vjet më parë është regjistrim jo në standarde. Sipas analizës të paanshme, në këtë regjistrim u injoruan disa nga kërkesat më themelore të regjistrimit të inidividit. Pati dhe probleme teknike serioze”, u shpreh Kryeministri.

“Por e shkuara është e shkuar. Ajo që është pozitive është se ky regjistrim i parë modern i qytetarëve shqiptarë ishte me të gjitha standardet. Regjistrimi ka ecur në një mënyrë shumë të përgjegjshme e të qytetëruar”, tha Berisha.

Megjithatë, vijoi Kryeministri, “ky ishte një proces nën presion, si çdo proces tjetër. Një presion që fshihte qëllime dhe tendenca politike të qarta dhe të caktuara. Një proces që kishte si qëllim të fshihte statistikën për pasqyrimin e realitetit”.

“Ata që vërtiten si dredharakë kundër tij tregojnë që kanë pasur një qëllim, të fshehin pasurinë e tyre. Janë një grusht i vogël njerëzish, i parëndësishëm, i identifikuar plotësisht, por që rrezes së transparencës s’mund t’i shpëtojnë. Rezulton qartësisht që frika nga pasuria e tyre ka qenë shkaku kryesor i fushatës që ata bënë dhe morën shpërblimin e merituar”, tha Berisha.

Pasi vlerësoi punën shumë të madhe të 12 mijë regjistruesve në mbarë vendin, Berisha theksoi se, “brenda një kohe të caktuar këto të dhëna do të përpunohen, analizohen dhe publikohen. Shpresoj që INSAT t’i publikojë ato në kohën sa më parë të mundshme, sigurisht pas trajtimit më serioz të tyre”.

“Ky regjistrim do të ndihmojë shumë për ndërtimin e politikave më të drejta, duke u bazuar në demografinë aktuale të Shqipërisë dhe përbërjen e saj. Do të ndihmojë qeverinë për një vizion më të qartë për politikat e të ardhmes në interesin më të mirë të qytetarëve”, theksoi Berisha.

“Pra”, vijoi ai, “pas reformës së sistemit të gjendjes civile dhe dokumentave të identitetit, regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë përbën një reformë tjetër të rëndësishme, një proces themelor të njohjes së realitetit shqiptar për popullatën dhe banesat”.

“Prandaj”, shtoi Kryeministri, “ka vetëm mirënjohje për të gjithë ata regjistrues që trokitën në çdo derë për një akt madhor siç është censusi i popullsisë”.