Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 16:45

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se “Shqipëria do t’i japë Kosovës mbështetje pa kufi për pjesëmarrje e integrim të saj në NATO dhe në çdo iniciativë tjetër ndërkombëtare apo rajonale”, gjatë një takimi me ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.

Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha vlerësoi lart progresin dhe reformat e bëra nga Forcat e Sigurisë së Kosovës në fushën e sigurisë dhe e siguroi ministrin Çeku për mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme, me të gjitha kapacitetet në dispozicion të shtetit shqiptar për forcimin e mëtejshëm të FSK-së.

Duke vlerësuar si shumë të rëndësishme zhvillimin dhe koordinimin në nivel rajonal të kapaciteteve në fushën e mbrojtjes, me qëllim përgjigjen në mënyrën më efikase të angazhimeve të përbashkëta apo nevojave të mbrojtjes dhe emergjencave civile, Kryeministri Berisha i shprehu ministrit Çeku falënderime për kontributin e FSK-së gjatë përmbytjeve në qarkun e Shkodrës.

Gjithashtu, Kreu i Ekzekutivit vlerësoi se prezenca e KFOR-it është një faktor shumë i rëndësishëm për mbështetjen e reformave dhe arritjen e standardeve më të larta nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e mbështetjen e gjithanshme që qeveria shqiptare, në mënyrë specifike ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, i kanë dhënë dhe po i japin Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Ai i shprehu falenderime Kryeministrit edhe për mundësitë dhe hapësirat e mëdha që qeveria shqiptare ka krijuar për shkollim dhe trajnim të ushtarakëve nga Kosova në institucionet arsimore shqiptare.

Duke vënë në dukje se Kosova po përpiqet të ndërtojë në fushën e mbrojtjes kapacitete që i përgjigjen nevojave të saj dhe atyre që janë parashikuar në kuadrin kushtetues e ligjor të bazuar mbi paketën Ahtisari, ministri Çeku shprehu vullnetin e qeverisë së Kosovës dhe FSK-së për integrim të plotë në iniciativa dhe projekte me karakter rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes, përfshirë dhe NATO-n.

Lidhur me këtë, ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, kërkoi mbështetje maksimale nga qeveria shqiptare.