Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 08:42

Tiranë-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka më shumë se një vit që ka bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë.

Bllokimi i këtij projekti nga ana e kryeministrit Berisha, i ka siguruar shtetit të Serbisë monopol në importin e energjisë në Kosovë, pasi që për momentin Kosova të vetmen rrugë për import të energjisë ka fqinjin verior.

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se në mars të vitit 2011, është hapur tenderi për linjën e transmetimit të energjisë, Shqipëri-Kosovë, me kapacitet 400 kilovoltësh, projekt ky i cili financohet nga banka gjermane KFË, ku ndërtimi i kësaj linje midis Shqipërisë dhe Kosovës, do t’i sillte vendit pavarësinë nga linjat serbe.

Sipas këtyre burimeve, biznesmeni serb, Vuk Hamoviq, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazliq, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkelzen Berisha.

“Biznesmenët serbë kanë paguar shuma të mëdha në instanca të larta shtetërore në Shqipëri, për bllokimin e ndërtimit të linjës”, tha burimi i gazetës. (Zëri)