Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 14:28

Tiranë – Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, shrehu sot shqetësimin e tij për, siç ka thënë ai, fantazmën e Serbisë së Madhe që sërish po e kërcënon paqen dhe stabilitetin në rajon.

Berisha, veprimet e huliganëve serbë në pikat kufitare të Kosovës, i quajti “provokime të rrezikshme të bandave serbe në kufirin verior të Kosovës”.

Qeveria shqiptare deklaron se flakët e zjarrit dhe tymi në ndërtesat zyrtare në vendkalimet kufitare, në kufirin verior të Republikës së Kosovës, vrasja e policit, sulmi ndaj KFOR-it, dëshmojnë qartë se fantazma e Serbisë së madhe paraqet sërish rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Mbështesim operacionet e qeverisë së Kosovës dhe dënojmë aktet kriminale të fallangave të serbo-mëdhenjve në kufirin verior. Dënojmë vrasjen e një oficeri të policisë, sulmin e armatosur ndaj njësive të KFOR-it dhe i konsiderojmë këto akte dëshmi se fantazma e Serbisë së Madhe paraqet rreziqe për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Berisha.

Kryeministri shqiptar, gjithashtu, ka përkrahur embargon e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve serbe, jo sepse është kundër lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve, por se ky është një vendim i imponuar prej qeverisë serbe. Ai i ftoi qeveritë e të dy vendeve që të marrin masa për të siguruar kushte dhe dialog mes dy vendeve të barabarta.