Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 17:55

Tiranë-Kryeministri Sali Berisha akuzoi sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, kreun e opozitës, Edi Rama, se po korrupton drejtues të ndryshëm të institucioneve publike për krijimin e partive politike por referenca reale në fjalën e tij ishte kreu i shteti Bamir Topi.  

“Maxhoranca është e angazhuar në një proces reformash dhe konsolidimi të pandërprerë të institucioneve të vendit. Për ne, shteti ligjor, mbetet kushti i të gjitha kushteve, që të gëzojmë lirinë që meritojmë.

Funksionimi i institucioneve është një kusht kryesor. Këto institucione janë në çdo vend me një status të caktuar, janë në çdo vend mbi ligje të caktuara. Por përdorimi i këtyre institucioneve nga z. Edi Rama në funksion të krijimit të partive politike, duke korruptuar në mënyra të ndryshme drejtues të tyre, është akti më i rëndë që ka ndodhur në historinë e këtij vendi në 20 vitet e fundit.

Kjo është kapja më fatale”, u shpreh Kryeministri.  Duke aluduar se presidenti Topi tashmë vepron për llogari të Edi Ramës, Berisha shtoi se “s’ndodh në ndonjë vend që të ngërthehen krerë institucionesh në funksion të një projekti të Kryetarit të opozitës për të luftuar maxhorancën”.

Duke iu referuar Aleancës Kuq e Zi e cila flitet se do të jetë partia që do të drejtojë sëshpejti kreu i shtetit Bamir Topi, Berisha tha se “çdo njeri këtu mund të krijojë parti politike. I ka të hapura dyert, por askush nuk ka të drejtë dhe  nuk ka amoralitet politik më të madh sesa të përdhosësh Kushtetutën, institucionin që të është besuar, në funksion të projektit të Kryetarit të opozitës, sepse kështu mendon ai të vijë në pushtet.

Institucionet nuk janë të Sali Berishës, janë të qytetarëve shqiptarë”.
Sipas Berishës, “nuk ka qytetarë të këtij vendi që pas 20 vitesh pluralizëm të pranojnë që institucionet e pavarura t’i kthejë kryetari i opozitës në partiçka”.

Duke iu referuar kandidaturës së Sali Shehut, që u propozua nga Presidenti Topi për kreun e KLSH-së, Kryeministri u shpreh se “Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj thotë se Kreu i Shtetit duhet të konsultohet me Parlamentin për kandidaturat që i sjell. Presidenti nuk do të zbatojë këtë përcaktim, është zgjedhje e tij, por një gjë është  e sigurtë se sa herë mos t’i përmbahet do shumëzojë veten me zero”.