Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 14:20

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të hapjes së 38 kilometrave të para të autostradës kosovare, që është vazhdimi i Rrugës së Kombit të ndërtuar në Shqipëri, në afërsi të kufirit, në Vërmicë, aty ku nisi puna më 25 prill të vitit të kaluar.

“Sot me ne këtu në Vermicë është mbarë kombi shqiptar. Janë shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, diasporë dhe kudo që janë. Ata gëzojnë së bashku me ne inaugurimin sot në Kosovën e lirë e të pavarur të kësaj rruge madhështore, të kësaj autostrade që bashkon shqiptarët më shumë se kurrë në idealin e unitetit kombëtar, në idealin e Prizrenit. Në idealin e pavdekshëm të atyre grave dhe burrave që sakrifikuan dhe derdhën lumenj gjaku për të Shqipërinë e pavarur. Idealin e  atyre që derdhën lumenj gjaku dhe sakrifica për të bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur në nderimin më të madh të arkitektit të Kosovës së pavarur, burrit mendjendritur të kombit shqiptar, Ibrahim Rugovës”, tha Berisha.

Shefi i qeverisë shqiptare tha se “Kosova në më pak se tre vite i dhuron qytetarëve të saj, kombit, por dhe rajonit e Evropës në tërësi, një kryevepër të punëve publike”.

Duke e quajtur autostradën si një dhomë të së ardhmes së Kosovës, Kryeministri u shpreh se, “në një kohë të vështirë autoritetet kosovare u angazhuan për të ndërtuar  rrugën më të rëndësishme për Kosovën, për Shqipërinë, por absolutisht dhe korridorin më fisibël për të gjithë rajonin”.

“Kjo është një rrugë me domethënie të madhe. Shënon një agim të ri të vërtetë politik, ekonomik, social për Kosovën”, tha Berisha, duke shtuar se, “kjo është rruga me të cilën Kosova kontribuon për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin, dhe integrimin rajonal. Është rruga me të cilën Republika e Kosovës investon për të ardhmen e shkëlqyer evropiane të qytetarëve të saj. Është rruga e zhvillimit të shpejtë të Kosovës, e fluksit të pashtershëm të energjisë së tregut të saj drejt perëndimit. Është rruga e sigurisë më të madhe të udhëtimit të qytetarëve të saj”.

Përveç Kryeministri Sali Berisha në ceremoni ishin të pranishëm edhe Presidentja e  Kosovës Atifete Jahjaga, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kongresmeni amerikan, Elliot Engel, të cilët përshëndetën përurimin e  kësaj autostrade.

Autostrada e Kosovës, e cila me propozimin e qeverisë ka marrë emrin e Presidentit historik Ibrahim Rugova, sipas projektit do kalojë gjithë vendin, nga Vërmica në kufirin me Shqipërinë në Merdar – kufiri me Serbinë, në vazhdimin e Rrugës së Kombit nga Durrësi në Morinë.

Ndërtimi i 38 kilometrave të parë të autostradës Morinë -Merdar ka kushtuar 330 milionë euro.

Kryeministri Thaçi ka bërë të ditur vazhdimin e ndërtimit edhe në seksionet e tjera, duke deklaruar se “për vitin tjetër nga buxheti i Kosovës janë ndarë edhe 296 milionë euro që të vazhdojë ndërtimi i autostradës Vërmicë-Prishtinë. (LajmeShqip.com)