Lajme Shqip Tuesday, 06 September 2011 18:22

Tiranë – Shqipëria dhe Maqedonia konfirmuan sot angazhimin për të bashkëpunuar në kuadër të Korridorit 8-të dhe linjës hekurudhore që do të bëjë të aksesueshme portet e dy vendeve.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, kjo u konfirmua gjatë takimit të Kryeministrit Sali Berisha me Zëvendëskryeministren e Republikës së Maqedonisë, Teuta Arifi, e cila po zhvillon një vizitë në vendin tonë.

Arifi shprehu kënaqësinë që vizitën e saj të parë, pas marrjes së detyrës së Zëvendëskryeministres, po e zhvillon në Shqipëri.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe u shpreh vullneti për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve dhe qeverive, në veçanti vendosmëria për të zhvilluar projekte infrastrukturore që do të afrojnë më tej të dy vendet.

Ndërsa, Kryeministri e njohu Zëvendëskryeministren Arifi me disa nga projektet që janë në zhvillim apo pritet të fillojnë si rruga e Arbrit që shkurton distancën Tiranë-Shkup me 100 kilometra, rruga Tiranë-Elbasan si pjesë e Korridorit të 8-të, fillimin vitin e ardhshëm të ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Shkup.

Në takim u vlerësua gjithashtu si shumë i rëndësishëm intensifikimi i bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, si një faktor nxitës për zhvillimin, stabilitetin dhe perspektivën europiane të tij.


Në takim u rikonfirmua se, integrimi europian është projekti madhor i vendeve të rajonit. Kryeministri Berisha theksoi se, vendet e rajonit duhet të përqendrohen në heqjen e barrierave dhe krijimin e kushteve për vendosjen në rajon të rregullave të njëjta me ato që vendet e Bashkimit Europian kanë vendosur mes tyre, që do të krijojnë mundësinë e krijimit të një tregu të njëjtë në rajon, vendosjen e procedurave që reduktojnë kohën dhe ndihmojnë e lehtësojnë biznesin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.