Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 18:46

Tiranë – Kryeministri Berisha theksoi sot, gjatë takimit me Drejtorin e Agjencisë Federale të Kontrollit të Trafikut të Narkotikëve të Rusisë, Viktor Ivanov, se Shqipëria mirëpret dhe mbështet bashkëpunimin me Rusinë, në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe se marrëveshja, e nënshkruar sot midis dy vendeve, është një bazë e rëndësishme ligjore për të mundësuar konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në këtë fushë.

Zyra e shtypit e Qeverisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha theksoi se qeveria e konsideron prioritet të madh luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar në tërësi, duke vlerësuar në këtë kontekst, si shumë të rëndësishëm e të domosdoshëm bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Zoti Ivanov e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe për marrëveshjen e nënshkruar, të cilën e vlerësoi gjithashtu, një themel të rëndësishëm për një bashkëpunim të vazhdueshëm në këtë fushë. Ai i paraqiti Kryeministrit një ekspoze të situatës së luftës kundër narkotikëve në Rusi, por edhe një përshkrim të përgjithshëm përsa i përket trafikut ndërkombëtar të drogës. Zoti Ivanov vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit për luftën me eficencë dhe sukses ndaj kësaj të keqeje si për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, edhe për sigurinë e stabilitetin apo rendin publik të vendeve prodhuese, por shpesh edhe të vendeve tranzit.

Në takim u vlerësua si një arritje shumë e rëndësishme fakti që rrugët e drogave të rënda, siç është heroina, nga Afganistani, janë zhvendosur tashmë nga Shqipëria, çka dëshmon për suksesin e fushatës të luftës me zero tolerancë të qeverisë shqiptare. Gjithashtu u vlerësua edhe fakti që kultivimi i kanabisit në Shqipëri është reduktuar në mënyrë drastike.

Në takim u vlerësua si një hap pozitiv konteksti ligjor shqiptar, i cili përcakton përgjegjësitë e pushtetit lokal në këtë luftë, duke i shndërruar përfaqësuesit e pushtetit vendor në aleatë të qeverisë në këtë luftë.

Duke i përcjellë përshëndetjet për Kryeministrin Putin dhe Presidentin Medvedev, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Ivanov se Shqipëria do të jetë një partner eficent dhe i vendosur në luftën kundër trafikimit të drogës dhe zbatimit të ligjit