Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 15:59

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha, u ndal sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, edhe rreth debatit më të fundit midis maxhorancës dhe opozitës për mandatin e ish-deputetes socialiste, Rudina Seseri.

Berisha tha se aktualisht kryetari i Bashkisë së Fushë Krujës, z. Gjon Bardhi, ka dy mandate, duke shtuar se një çështje e tillë duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese.

“Ka 1 muaj që kryetari i PS-së, në mënyrën në absurde, akuzon këtë maxhorancë se do t’i vjedhë mandatin e Seserit. Ky e bën në një mënyrë shumë të paskrupullt, pasi e ka të qartë se mandati nuk mund t’i merret dhe nuk kemi tendencë të përvetësojmë një mandat që nuk na takon”, theksoi Berisha.

“Sot kanë dalë me një variant të ri që Gjykata Kushtetuese është shprehur. Nëse e ka shprehur le ta shqyrtojë. Deri më sot kryetari i grupit parlamentar i është kundërvënë kësaj ideje. Atëherë është e domosdoshme të bëhen konsultime me konstitucionalistë. Komisioni i Rregullores duhet t’i drejtohet Parlamentit. Z. Rama do ta zgjidhë në mënyrën e tij në mos përfillje të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”, theksoi Kryeministri.

Ai shtoi se ka një muaj që Rama akuzon këtë shumicë se do t’i marrë mandatin dhe se problemi qenka tek zgjedhja e Presidentit. “Ai ka një grup njerëzish që fabrikojnë mashtrime dhe ata e kanë kënaqësi kur i dëgjojnë. Ata që kanë dëshirë le të mashtrojnë sa të duan. Ne nuk kemi një tendencë për t’ia cënuar mandatin. E gjithë beteja që bëhet është se si t’i bashkojë aleatët me Bamirin. I ka mbajtur gjer tani me premtime mashtrime, tani u thotë shkoni te Bamiri. Po të jetë puna për Bamirin, rrinë më mirë me Ramën. Blushi thotë se LMN-ja e përmbushi misionin. Çfarë misioni? Përjashtoi Kastriot Islamin, por kjo është çështja e tyre. Edhe që të qarkullojnë çdo lloj teze në politikë është ofendim për politikën”, vijoi Berisha.

Kreu i qeverisë i siguroi socialistët se nuk kishte asnjë qëllim për të bllokuar këtë mandat deputeti. “I siguroj socialistët se nuk mund të ketë qëllim që t’i cenojmë mandatin. Atij që i takon mandati, në përputhje me ligjin, ta marrë atë dhe të ulet në Parlamentin shqiptar”, vijoi Kryeministri.

Duke iu referuar kërcënimit të kreut të opozitës se do të bllokojë sërish reformat, Berisha theksoi se Rama e ka kthyer Partinë Socialiste në një mikro byro politike dhe kërcënon se nuk do të bashkëpunojë për reformat. “Rama thotë që do bllokoj reformat. O zotëri nuk është opozita argat. Nëse ti e quan atë argat asnjë ditë mos bashkëpuno. Ne nuk e kemi opozitën argate. Ajo është sovrane dhe ka programin e saj që ia ka paraqitur shqiptarëve”, tha Berisha.