Lajme Shqip Sunday, 15 April 2012 13:03

Tiranë- Kryeministri Sali Berisha sapo është kthyer nga një vizitë që i bëri trupave të Forcave të Armatosura Shqiptare në Afganistan, që operojnë në kuadër të misionit të NATO-s, ISAF. Kryeministri shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH), Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi.

Kryeministri u takua me ushtarakët shqiptarë që janë me mision në Shtabin e ISAF dhe komandën rajonale në Kabul. Ai vizitoi Bazën e Përparuar Operacionale në Spin Buldok në Kandahar, ku është vendosur edhe kontingjenti i Forcave Speciale Shqiptare “Eagle 4” dhe pati një takim shumë të përzemërt me efektivin e kompanisë “Eagle 4”. Në ditën e dytë, Kryeministri u takua me efektivin e kontingjentit të FARSH në Kamp Arena, në Herat.

Kryeministri u shprehu ushtarakëve tanë mirënjohjen më të thellë të tij, të qeverisë dhe popullit shqiptar për përfaqësimin me dinjitet të lartë të Shqipërisë, në përmbushjen e angazhimeve të saj në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në mbështetje të popullit afgan.
Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha zhvilloi takime edhe përfaqësuesin civil më të lartë të NATO-s në Shtabin e ISAF, ambasadorin Simon Gass, me Komandantin e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Asistencës, Gjeneral John Allen, komandantin e Komandës Rajonale Perëndimore Gjeneral Brigade Luigi Chapperini, Zëvendëskomandantin e Komandës Rajonale Jugore Gjeneral Majorin Javier Cabeza.

Kryeministri Berisha falenderon me mirënjohje Komandën e NATO-s në Kabul, komandot e njësive të saj në Spin Buldok, Kandahar, Komandën e ISAF në Herat, qeverinë turke, Forcat e Armatosura të SHBA-së dhe Italisë për lehtësimet e jashtëzakonshme që krijuan në realizimin e plotë të kësaj vizite. (LajmeShqip.com)