Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 09:44

Tiranë – Kryeministri Berisha priti dje në një takim Komandantin e Komandës së Transformimit të Aleancës (KTA), Gjeneral Stéphane Abrial, i cili ndodhet në një vizitë dy ditore në Shqipëri për njohjen e gjendjes dhe reformat modernizuese të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe Forcat e Armatosura Shqiptare (FASH), veçanërisht pas anëtarësimit në NATO.

Kryeministri Berisha i shprehu Gjeneralit Abrial vlerësimin më të lartë për ndihmën që KTA-ja, me bazë në Virginia të SHBA-ve, i ka dhënë dhe po i jep FASH në reformat e tyre transformuese  dhe modernizuese, për t’iu përgjigjur maksimalisht të gjitha angazhimeve të Shqipërisë në kuadrin e NATO-s dhe të gjitha operacionet e saj, duke u ndalur në veçanti në rolin e trupave shqiptare në Afganistan, ku Shqipëria merr pjesë për herë të parë në veprime luftarake. Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e rolit të forcave të armatosura në situata të emergjencave civile dhe natyrore, duke vlerësuar profesionalizmin e tyre në lehtësimin e situatës dhe shmangien e viktimave gjatë përmbytjeve të vitit 2010.

Kryeministri Berisha theksoi se reformat në ushtri, në kuadër të demilitarizimit, profesionalizimit dhe rritjes së efikasitetit dhe operacionalitetit, janë një proces i vazhdueshëm dhe se qeveria shqiptare do t’i çojë ato përpara me vendosmëri, duke vënë në dispozicion të gjitha resurset financiare të nevojshme. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e asistencës në fushën e edukimit modern ushtarak të forcave tona si dhe pjesëmarrjen në operacione shumëpalëshe, të cilat do të rrisnin më tej aftësinë e FASH për pjesëmarrje të suksesshme në operacionet e NATO-s.

Komandanti i KTA-së, Gjeneral Abrial, shprehu kënaqësinë që Shqipëria është tashmë një aleat i denjë në NATO dhe përshëndeti kontributin e FASH në Afganistan dhe në të gjitha operacionet e tjera, ku ato marrin pjesë. Duke vlerësuar rolin e Shqipërisë në rajon, ai vuri në pah rolin e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon nëpërmjet anëtarësimit dhe partneritetit. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha mbështeti plotësisht procesin e anëtarësimit në Aleancë të vendeve të rajonit tonë.

Gjenerali Abrial shprehu admirim dhe i cilësoi si inkurajuese reformat transformuese që kanë ndërmarrë qeveria dhe FASH. Pasi vlerësoi bashkëpunimin me kolegët shqiptarë, ai shprehu të gjithë gatishmërinë për të asistuar maksimalisht procesin e transformimit të forcave tona të armatosura, si një proces i vazhdueshëm për të gjitha vendet anëtare të NATO-s.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim në lidhje me nevojën për bashkëpunim rajonal, me qëllim krijimin e kapaciteteve të përbashkëta të ushtrive të rajonit, si në fushën e trajnimit, edhe në drejtim të kapaciteteve teknike. Kryeministri Berisha dhe Gjenerali Abrial vlerësuan gjithashtu rolin e KFOR në Kosovë dhe asistencën që ato i japin FSK-së në modernizimin e tyre.