Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 14:12

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar demokrat tha se në prag të sezonit turistik Shqipëria po shfaq gjithnjë e më shumë interes botëror si destinacion pushimesh.   

“Jemi përballë sezonit turistik dhe ka një interes botëror në rritje për të kaluar pushimet dhe vizituar Shqipërinë. Çdo ditë në mediat serioze të fushës ka shkrime dhe përshkrime të bukurive të rralla, të shërbimeve të shkëlqyera, të mikpritjes së pashembullt e pasurive të mëdha kulturore e historike që ofron Shqipëria”, tha kryeministri.

Sipas kreut të qeverisë në epiqendër të mediave të interesuara për turizmin, specifike këtë vit janë shkrimet kushtuar Beratit, Alpeve shqiptare etj,

Në funksion të këtë qëllimi Berisha i bëri thirrje deputetëve të PD-së që të bëjnë gjithçka për suksesin e nismës mjedisore “Për një Shqipëri të pastër’, më 20 prill.

“Kjo nismë në radhë të parë duhet t’i shërbejë vetëndërgjegjësimit tonë mbi rëndësinë jetike për një kthesë rrënjësore në qëndrimin ndaj mjedisit. Asgjë nuk nxin në këtë vend, që ka marrë një zhvillim të gjithanshëm, se sa prania e plehrave të shpërndara në mënyrë shumë të shëmtuar. Ndaj do kërkoja nga ju, në bashkëpunim me qeveritë vendore, të marrim çdo masë që më 20 prill ta bëjmë Shqipërinë më të pastër se kurrë në historinë e saj. Asgjë nuk e dëmton më shumë shëndetin tonë, por dhe imazhin e vendit, se sa  kjo shpërkujdesje e pafalshme në trajtimin e plehrave në këtë vend”, nënvizoi Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.