Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 22:32

Tiranë- “Liria e një kombi është një dhe e pandarë, ndaj dhe ne punojmë sot së bashku për të ardhmen që meritojmë në BE dhe NATO”, tha të premten në mbrëmje Kryeministri Sali Berisha, gjatë një pritje të organizuar në Tiranë, në kuadrin e 4 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Sot për çdo shqiptar është një ditë e madhe mirënjohje, tha në fillim të fjalës së tij, kryeministri Berisha, duke shprehur nderim për ata qindra e mijëra qytetarë, që për një shekull me radhë flijuan jetën e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar, për Kosovën e lirë.

Kryeministri shprehu mirënjohjen edhe për SHBA dhe miqtë e tjerë në Europë, të cilët në një moment kritik për shqiptarët e Kosovës, angazhuan në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut fuqitë e tyre ajrore, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e shqiptarëve nga operacionet më makabre të kohës, që synonin shfarosjen e tyre.

“Sot është një ditë e madhe mirënjohje për të gjithë shqiptarët, që ditën që në momente kritike të reagojnë si një komb i vetëm. 17 shkurti 2008 është një ditë krenarie për çdo shqiptar, sepse shënon fundin e një sage të papërshkruar vuajtjesh, padrejtësish dhe sakrificash, fundin e përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë dhe ekzistencë dhe fillimin e një epoke, ku ata njëlloj si kombe të tjera të lira, vendosën të ndërtojnë të ardhmen e  tyre”, tha kryeministri Berisha.

Ai përshëndeti gjithashtu autoritetet dhe qeverinë e Kosovës, që gjatë këtyre viteve, në një hark të shkurtër kohor kanë realizuar në Kosovë arritje shumë të mëdha në ndërtimin e vlerave të demokracisë në ndërtimin e Kosovës.

“Në një hark të shkurtër kohor, Kosova u shndërrua në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon. Përgëzoj qeverinë e Kosovës për dialogun në të cilin është angazhuar në Bruksel, me vendosmërinë më të madhe për të hapur një kapitull të ri midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan”, tha Berisha. (LajmeShqip.com)