Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 18:38

Tiranë- Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të mërkurën me votat e deputetëve të maxhorancës një ndryshim në ligjin “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, që lidhet me ndryshimin e varësisë së Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar (DISK) nga Këshilli i Ministrave, në varësi të Kryeministrit.

Opozita në komision e kundërshtoi këtë ndryshim pasi sipas saj DISK është një institucion i krijuar me ligj dhe se nuk është një vendim qeverie.

Propozimi i ardhur nga qeveria lidhet me faktin se Këshilli i Ministrave si organ kolegjial që vepron në bazë të akteve që nxjerr e ka të pamundur të ndjekë në vijimësi veprimtarinë e institucioneve në varësi.

Opozita e kundërshtoi këtë ndryshim pasi sipas saj, me anë të tij kryeministri grumbullon më shumë pushtet. 

Ndërkohë që përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave argumentojnë se ndryshimi përputhet me detyrat dhe objektivat e veprimtarisë së DISK dhe ai synon të garantojë mbarëvajtjen e këtij institucioni, veçanërisht, nga pikëpamja administrative.

Sipas ekspertëve, me këtë ndryshim nuk cënohet asnjë nga parimet e funksionimit të institucionit të DISK si paanshmëria, besueshmëria dhe pavarësia profesionale, të cilat janë të garantuara me ligj.
     Një ditë më parë, ligji u miratua dhe nga komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare, pas kundërshtimeve të ashpra të opozitës.