Lajme Shqip Wednesday, 22 August 2012 18:47

Tiranë – Sekretari për Programin në Partinë Socialiste në një deklaratë për mediat iu përgjigj sot kryeministrit Berisha, për deklaratat që ky i fundit bëri në mbledhjen e qeverisë, ku akuzoi opozitën se ka kërcënuar investitorët. 

Beqja tha se PS ka denoncuar koncesionet klienteliste dhe jo investitorët seriozë. 

“Sot, kryeministri i vendit vazhdoi me avazin e sulmit ndaj Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, ndërkohë që vazhdon të mos merret me problemet e mëdha që ka vendi. Ne e kemi denoncuar politikën e koncesioneve të pakërkuar si klienteliste, në dëm të interesave të shqiptarëve, të korruptuar. Ne falenderojmë dhe mbështesim investitorët seriozë, vendas dhe të huaj. Falenderojmë Verbund, EVN, Statkraft, EGL, Statoil, Enel, Siemens e të tjerë. Ndjesë nëse harroj ndonjë, por nuk është momenti për t’i përmendur të gjithë. Ne falenderojmë institucionet financiare të huaja për mbështetjen që i japin zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe i garantojmë ata se qeverisja jonë e nesërme do të jetë krejt e ndryshme nga modelet si ai i bllokimit që i bën Saliu kredisë së KFË për linjën e interkoneksionit Shqipëri – Kosovë”, tha Beqja.

Beqja tha ndër të tjera se kryeministri ka dështuar me rendin publik, në kontrollin e korrupsionit në dogana si edhe në qeverisjen dixhitale.

“Saliu duhet të flasë për rendin publik, por heziton. Për fat të keq atentatet mafioze, vrasjet dhe grabitjet vazhdojnë në hundën e policisë së shtetit. Saliu duhet të flasë për korrupsionin e tmerrshëm në shërbimin doganor të denoncuar publikisht nga njerëz brenda këtij shërbimi, por heziton. Tek ky korrupsion janë shkaqet e deficitit dhjetëra milionë dollarësh të krijuar në 7 muaj nga administrate fiskale. Saliu duhet të flasë për korrupsionin në prokurime publike, pas evidentimit në publik të hetimit që ka bërë Autoriteti i Konkurrencës, pas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të shtetit, por heziton. Saliu duhet të flasë për borxhin publik që ka kaluar 800 miliardë lekë, por heziton. (LajmeShqip.com)