Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 17:53

Prishtinë – Përgjigja që ka dhënë Gjykata Kushtetuese në pyetjet e dërguara nga Qeveria e Kosovës rreth kuorumit të deputetëve, është pritur mirë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila paralajmëron se do ta bojkotojë seancën nëse do të shkohet me të njëjtën mënyrë të procedimit, sikur në seancën e 22 shkurtit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë të premten se përgjigja e Gjykatës Kushtetuese nuk e ka ndryshuar aspak qëndrimin e LDK-së.

Madje, sipas Beqirit, kryeministri Thaçi tashmë dy herë e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, një herë në rastin e Rahovecit dhe herën tjetër në seancën e 22 shkurtit të këtij viti.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka ritheksuar se nuk ka asnjë fuqi që mund t’i shtyjë deputetët të hyjnë në sallë, siç ka thënë ai, për t’i bërë qejfin Hashim Thaçit, ndërkohë që paralajmëron se në rast se do të ketë skenar të njëjtë edhe në seancën e ardhshme LDK-ja do ta braktisë seancën.

Ai nuk ka dashur të përgjigjet qartë nëse LDK-ja do ta votonte Pacollin në rast se do të kishte një konsensus mes subjekteve politike për ndryshim të Ligjit zgjedhor dhe zgjedhje të parakohshme, por ka thënë se LDK-ja është për konsensus politik dhe për dialog mes spektrit politik.