Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 12:48

Beograd – Pas liderit të Partisë Serbe të Ripërtëritje, Vuk Drashkoviq, në intervistën e dhënë në B92 dhe të publikuar edhe nga Portali LajmeShqip.com, edhe Bordi i Sigurisë në parlamentin serb, ka konfirmuar se grupe kontrabanduesish serbë, nën udhëheqjen e Zvonko Veselinoviqit, e kanë sulmuar të parët KFOR-in në pikën kufitare në Jarinjë, më 27 shtator.

Shërbimet sekrete serbe i kanë raportuar Bordit të Sigurisë së Parlamentit të Serbisë se në konfliktin e fundit me KFOR-in në pikëkalimin në Jarinjë, më 27 shtator, serbët ishin të udhëhequr nga një kontrabandues serb nga veriu i Kosovës, i quajtur Zvonko Veselinoviq dhe grupi i tij i përbërë nga rreth njëzet persona të armatosur, transmeton portali Koha, duke iu referuar mediave të Beogradit.

Siç raporton e përditshmja serbe “Blic”, të dhënat e prezantuara në këtë seancë të Bordit të Sigurisë janë klasifikuar si sekrete shtetërore. Ato të dhëna gjithashtu kujtojnë se Veselinoviq është përmendur edhe më herët si një individ i dyshuar për vënien në flakë të barrikadave në Jarinjë.

Sipas shërbimit sekret të Serbisë, grupi i Veselinoviqit gjatë natës kishte ngritur një barrikadë shumë pranë kampit të KFOR-it. KFOR-i e kuptoi atë si provokim dhe në orë e hershme të mëngjesit pushtoi barrikadën, vendosi tela gjemborë dhe nisi tërheqjen e barrikadës.

“Tri orë e gjysmë më vonë, një grup prej rreth 20 serbësh, të udhëhequr nga Veselinoviq, sulmuan KFOR-in, ndërsa KFOR-i reagoi me shok-bomba dhe me plumba gome. Serbët ikën. Rreth mesditës, rreth njëmijë serbë vërshuan vendin e ngjarjes”, raporton “Blic” të jetë thënë në Bordin e Sigurisë së Parlamentit të Serbisë, transmeton Zëri.

Menjëherë pas kësaj, aty arrin një kamion me rreth 20 serbë të armatosur të grupit të Veselinoviqit të cilët gjithashtu kishin edhe gërshërë për prerjen e telave gjemborë. Ata lëvizin drejt barrikadave. KFOR-i tenton t’i pengojë ata me plumba gome dhe shok-bomba, por kamioni vazhdon të lëvizë përpara. Kur i afrohet barrikadës dhe telave gjemborë dhe ushtarëve të KFOR-it, rreth 15 ushtarë të kontingjentit amerikan të KFOR-it dalin në përpjekje për ta penguar kamionin. Përleshjet në mes të serbëve dhe ushtarëve të KFOR-it fillojnë.

Ushtarët e KFOR-it tentojnë të arrestojnë shoferin ndërsa serbët e mbrojnë atë. Ushtarët amerikanë e marrin shoferin ndërsa grupi i Veselinoviqit tenton të largojë shoferin nga ushtarët, sikurse që tentojnë t’i marrin armën një ushtari amerikan. Në atë moment dëgjohen të shtëna armësh të vërteta.

Shërbimi Sekret i Serbisë ka vazhduar të tregojë se të shtënat kanë nisur pothuajse njëkohësisht dhe kjo e bën të pamundshme të përcaktohet se cili grup nisi të shtijë i pari. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, shtatë serbë u plagosën. Menjëherë pas të shtënave, dikush nga grupi i përmendur i serbëve hedhë një mjet shpërthyes ndaj KFOR-it. Katër ushtarë të KFOR-it lëndohen.

Shërbimi vazhdon të flasë, duke përmendur Veselinoviqin si kontrabanduesin kryesor në veriun e Kosovës. Ai edhe pak kohë më parë është përmendur si njeriu që e kërcënoi me vdekje Borko Stefanoviqin, kryenegociatorin serb sikurse edhe Goran Bogdanovicin, të ashtuquajturin ministër serb për Kosovën.

“Nuk është ende e qartë përse ai nuk u arrestua, nëse shërbimi sekret kishte këto informata për të”, hamendet “Blic”.

Personi i parë që foli për këto të dhëna të dala nga Bordi i Sigurisë ishte Vuk Drashkoviq.