Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 14:01

Misionit të OSBE- së në Kosovë do t’i bëhet një kërkesë specifike. Shtetet e fuqishme në konsultim me autoritetet e Kosovës dhe ato te Beogradit po mundohen që t’ja lenë kësaj organizate procesin e mbajtjes se zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në lokalitetet me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas burimeve për këtë është marrë edhe pajtimi i Qeverise se Kosoves, por me një kusht, për të cilin janë pajtuar ndërkombëtarët. Së njëjtës organizatë, do t’i kërkohet që të organizojë edhe zgjedhjet lokale të Kosovës në të zonat e gjysmës së veriut: Zvecan, Leposaviq, Zubin-Potok dhe në komunën e Mitrovicës së veriut, që pritet të krijohet në bazë të Pakos Ahtisari. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë do të bëhet me arsyetimin që t’u krijohet mundësia edhe serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të Serbisë, që të votojnë për parlamentin dhe presidentin e shtetit të tyre, ndërkaq organizimi i zgjedhjeve lokale të Kosovës do të bëhet me qëllim që të legjitimohen përfaqësuesit e veriut me të cilët do të nisë edhe adresimi i problemit të asaj pjese të Kosovës.