Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 11:41

Beograd – Shefi i ekipit serb për dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, thotë se ka ndërmend ta vizitojë Prishtinën para raundit të katërt të bisedimeve, për t’u takuar, siç thotë, me ndonjërin nga “bashkëbiseduesit shqiptarë të Brukselit”.

Përndryshe, dialogu mes ekipit të Kosovës dhe atij të Serbisë, duhet të vazhdojë nga mesi i majit dhe me gjasë do të zgjasë dy ditë. Në një intervistë për gazetën “Danas” Stefanoviq thotë se “zgjidhja e Brukselit nuk do të jetë sipas parimit “merre ose lëre”.

Sipas tij, problem te kjo temë është përplasja e dy koncepteve të ndryshme. “Pres që zgjidhja të gjendet në atë mënyrë që do të fitojë praktika evropiane”, thotë Stefanoviq. Sipas tij, kjo situatë konfirmon se sa vështirë bëhet ndarja në çështje teknike dhe politike.

“Nëse për Prishtinën çështja e veriut është çështje politike, ndoshta kjo për ne është çështje e targave dhe e vulës doganore”, thotë ai.

Sipas fjalëve të Stefanoviqit, në raudin e katër të dialogut duhet të përbyllen bisedimet për temat në të cilat ka pasur përafrim më të madh të qëndrimeve të dy palëve, e këto janë librat amzë dhe ato të kadastrit.

Ndërsa temat më problematike tani për tani janë vulat doganore dhe energjia elektrike.