Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 11:34

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, uroi sot besimtarët bektashinj në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, për Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindja e të madhit Imam Aliu, e cilësuar në botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe e ringjalljes se madhe.

“Bekim paçi kurdoherë në jetën tuaj. Zoti ju dhëntë shkëlqim dhe dritë të gjithë besimtarëve kudo që ndodhen në Kosovë, Maqedoni, Amerikë, Australi, Turqi, Gjermani, Holandë e kudo. Zoti ju uroftë e bekoftë të gjithëve”, uroi Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Ditëlindja e të madhit Imam Ali mblodhi në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore mijëra besimtarë.

Në të njëjtën kohë, 22 marsi festohet edhe në teqetë e tjera bektashiane brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Besimtarët bektashinj shqiptarë festojnë lindjen e Imam Aliut, që simbolizon për ta rigjallërimin e besimit te vepra dhe fuqia e Zotit e bashkë me të, rigjallërimin e shpirtit dhe të shpresës për jetën, për të ardhmen.

Festa e Sulltan Novruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.

Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin.

Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI.

Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar.

Në Shqipëri, Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.