Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 13:09

Prishtinë – Kreu i AKR-së dhe ish-Presidenti, pas ngërçit politik dhe furtunave të fundit në vend, ka shpëtuar diçka: Është emëruar Zv/kryeministër i Parë i Hashim Thaçit.

Një ditë pas zgjedhjes së presidentes së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka emëruar ish-presidentin Behgjet Pacollin në postin e zëvendëskryeministrit të parë për marrëdhënie ndërkombëtare, për të siguruar njohje të reja për Kosovën dhe për të sjellë investime të huaja në vendin tonë.

Vendimi i kreut të Ekzekutivit është marrë në mbështetje të nenit 94, nenin 6 dhe nenin 7 të Rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive dhe me qëllim të rritjes së performancës së Qeverisë së Kosovës.

Pacolli do të ketë detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara për zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi. Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit, njofton Zyra e Kryeministrit.